Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
23:50 20.3.2020

Shefi i OBSH-së: Të rinjtë nuk janë të pathyeshëm

Kryetari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e ka bërë një paralajmërim të qartë për të rinjtë rreth koronavirusit.

“Një prej gjërave që jemi duke mësuar që është njerëzit e moshuar goditen më së keqi, të rinjtë nuk kursehen”, ka thënë mjeku, Tedros Adhanom Ghebreyesus në Gjenevë.

“Të dhënat nga shumë shtete kanë treguar qartë se njerëzit nën moshën 50-vjeçare përbëjnë një shifër të konsiderueshme të pacientëve që kërkojnë hospitalizim”.

“Sot, unë kam një mesazh për të rinjtë: ju nuk jeni të pathyeshëm, virusi mund t’ju dërgojë në spital për javë ose edhe mund t’ju vrasë”.

Ai ka shtuar: Edhe nëse nuk sëmureni, zgjedhja që bëni se ku të shkoni, mund të bëjë dallimin në mes të jetës dhe vdekjes për dikë tjetër”.

Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Tedros Adhanom Ghebreyesus.

 

22:45 20.3.2020

Ministria e Jashtme u kërkon kosovarëve kthim vetëm në raste urgjente

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, që vetëm në rastet urgjente të paraqiten në ambasadat dhe konsullatat e këtij shteti për t’u përfshirë në listën e kthimit.

Në një komunikatë për media është thënë se si pasojë e përhapjes së koronavirusit të ri, kosovarët që arrijnë në territorin e Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës apo kufijve tokësorë, do të dërgohen në karantinë për 14 ditë.

Të premten në Kosovë kanë arritur rreth 96 shtetas këtij vendi, të cilët janë kthyer nga Duseldorfi i Gjermanisë.

Të gjithë të kthyerit janë dërguar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e cila së fundmi, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, është shndërruar në karantinë.

Ndërkohë autoritetet kanë bërë të ditur se rreth 850 qytetarë janë lajmëruar në ambasadat që Kosova ka në botë me kërkesë për rikthim.

Aktualisht në Kosovë është raportuar për 24 persona të infektuar me koronavirusin e ri.

 

 

22:22 20.3.2020

Mbyllen parqet në Kosovë

Grupi Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë ka marrë vendim për mbylljen e të gjitha parqeve në Kosovë nga ora 08:00 deri në ora 20:00, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.

Në një komunikatë për media është thënë se Policia e Kosovës do të vëzhgojë të gjitha këto hapësira dhe nuk do të lejojë asnjë qytetar afër.

Përveç kësaj, ky Grup ka urdhëruar dyqanet, që lejohen të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në kohën e përhapjes së koronavirusit, të vendosin shenjat për mbajtjen e distancës prej një metër.

“Gjithashtu nga nesër në të gjitha lokalet do të ndalohet shërbimi i kafes si brenda ashtu edhe për t’i marrë me vete (Take Away), pavarësisht llojit të shërbimit primar”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Aktualisht në Kosovë është raportuar për 24 persona të infektuar me koronavirusin e ri.

 

21:51 20.3.2020

Edhe dy persona të infektuar me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka konfirmuar të premten edhe për dy persona tjerë të prekur me koronavirus në Kosovë.

Ky Institut ka thënë se njëra e infektuar është 53-vjeçare nga Suhareka, ndërsa i infektuari i dytë është 43-vjeçar nga Gjakova.

Dy të infektuarit e fundit e dërgojnë në 24 numrin e të infektuarve me Covid-19 në Kosovë.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG