Egjipti mbyll për dy javë kisha e xhami
Egjipti ka urdhëruar mbylljen e përkohshme të të gjitha xhamive dhe kishave, teksa ky shtet tenton të shmangë mbledhjen e shumë njerëzve, me qëllim të luftimit të përhapjes së koronavirusit të ri.
Ministria për Çështje Fetare, që mbikëqyr më shumë se 100,000 xhami në këtë shtet, ka thënë më 21 mars se ka vendosur “të ndalë ceremoninë e lutjeve dhe të mbyllë të gjitha xhamitë” për dy javë.
Në një deklaratë tjetër, Kisha Ortodokse Kopte ka urdhëruar mbylljen e të gjitha kishave dhe pezullim të meshave për të paktën dy javë.
Kjo Kishë ka ndaluar edhe pjesëmarrjen nëpër ceremoni të varrimit, përveç familjarëve.
Në Egjiptin me popullsi 100 milionë banorëshe, të krishterët përbëjnë 10 për qind të kësaj shifre.
Nëpër rrjetet sociale njerëzit kanë kritikuar qeverinë për mosmbyllje të xhamive para Lutjeve të së Premtes, ngjarje e cila zakonisht mbledh shumë njerëz.
Deri më tani Egjipti ka regjistruar 285 raste të reja me koronavirus, duke përfshirë 8 persona të vdekur.
Ministria e Turizimit në këtë shtet, po ashtu ka njoftuar për mbylljen e të gjitha muzeve dhe zonave arkeologjike nga 23 marsi, deri në fund të muajit.
Kurti qytetarëve: Rrini në shtëpi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, teksa ka mbajtur një konferencë për media me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Grumbullimi paraqet rrezik dhe nuk guxojmë ta lëmë të kthehet në krizë. Ne shpresojmë që gjendja të mos na paraqitet e rëndë në javët në vijim, por siç kemi parë në shtetet e zhvilluara, lakorja e përhapjes së virusit po zgjerohet dhe duhet ta frenojmë”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Ndërkohë ministria Vitia ka njoftuar se autoritetet kanë porositur 50 respiratorë të rinj, për dallim nga 122 sa janë aktualisht në këtë shtet.
Sipas tij, autoritetet janë duke bërë gjithçka që situata të mos dalë nga kontrolli.
“ Pasi nuk ka ilaç për shërim, duhet të rrini në shtëpi me të dashurit tuaj. Fatin e përballjes e kemi bashkërisht të gjithë në duart tona”, ka thënë mes tjerash Vitia.
Në këtë konferencë po ashtu u është rikujtuar edhe një herë të gjithë shtetasve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt këtij shteti, përveç ndonjë rasti urgjent, meqë të gjithë do të dërgohen në karantinë për 14 ditë.
Ministri britanik bën thirrje për blerje "të përgjegjshme"
Sekretari britanik për Ambient, Ushqim dhe Çështje Rurale, George Eustice u ka kërkuar njerëzve që të jenë më të përgjegjshëm kur furnizohen me ushqime.
“Nëse bleni më shumë sesa që duhet nënkupton se të tjerët mund të përballen me mungesa”, ka thënë ai.
“Përderisa bleni, mendoni për të tjerët që përfundojnë vonë ndërrimin e natës dhe u duhet të vizitojnë dyqanet lokale”.
Mes tjerash, Eustrice ka thënë se të gjithë personat kanë rolin e tyre ashtu që të tejkalohet kjo krizë.
Ai ka thënë se dyqanet ushqimore kanë angazhuar më shumë staf për të mbajtur të furnizuara hapësirat.
“Neve na duhet që secili qytetar në këtë shtet të luajë rolin e tij”.
Ministri britanik u ka rikujtuar sërish qytetarëve që të tregojnë respekt për punëtorët në dyqane dhe konsumatorët tjerë.
Distancimi shoqëror po praktikohet anëmbanë botës si masë kundër koronavirusit