Serbisë i arrin ndihma mjekësore nga Kina
Një avion i kompanisë nacionale ajrore të Serbisë, i cili ka transportuar ekspertë dhe ndihmë mjekësore nga Kina, ka ateruar në Aeroportin e Beogradit "Nikolla Tesla" mbrëmjen e së shtunës, ka raportuar Radiotelevizioni i Serbisë, duke transmetuar drejtpërdrejt aterimin e avionit.
Sipas burimit të njëjtë, Kina ka dërguar gjashtë ekspertë, aparate mjekësore, mjete dezinfektimi, maska dhe pajisje tjera mbrojtëse kundër koronavirusit.
Po ashtu thuhet se këta ekspertë janë marrë me trajtimin e koronavirusit në Vuhan - qyteti e Kinës ku besohet se e ka origjinën sëmundja.
Aktualisht në Serbi janë 149 persona të prekur me Covid-19.
Mali i Zi do të publikojë identitetin e personave në vetizolim
Si masë për pengimin e përhapjes së koronavirusit, autoritetet në Mal të Zi kanë njoftuar se nisur nga dita e shtunë do të publikojnë identitetin e njerëzve në vetizolim.
"Le ta dijë secili qytetar se kush prej fqinjëve dhe bashkëqytetarëve e rrezikon me mosdisiplinën e tij", thuhet në njoftimin e Qeverisë malazeze.
Mali i Zi aktualisht ka 14 persona të infektuar me koronavirus.
Më 17 mars, Mali i Zi është bërë vendi i fundit në Evropë, që ka konfirmuar rastet me koronavirus.
Pamje nga karantinat në Prishtinë
Franca përdor helikopterë për të zbatuar kufizimet në lëvizje
Franca ka thënë se do të përdorë helikopterë dhe dronë për të rritur përpjekjet e qeverisë që të mbajë njerëzit në shtëpitë e tyre, kanë thënë zyrtarët policorë të shtunën.
“Helikopterët do të na mundësojnë pamje më të gjerë të situatës në kohë reale dhe do të na ndihmojnë për të udhëzuar trupat në tokë”, ka thënë një burim kombëtar i xhandarmërisë.
Një helikopter është thënë se tanimë është duke u shfrytëzuar mbi hapësirat e parqeve të Parisit, për të siguruar se rregullat janë duke u respektuar.
Dronët po ashtu është thënë se do të përdoren gjatë këtyre ditëve.
Franca ka ashpërsuar masat e izolimit nga dita e martë, duke u mundësuar njerëzve vetëm blerjen e ushqimit, vizitën te mjeku dhe shëtitjen e kafshëve.
Deri më tani në këtë shtet është raportuar për më shumë se 9,000 persona të infektuar dhe mbi 372 të vdekur.
Qeveria ka angazhuar 100,000 policë për vëzhgim të lëvizjes së njerëzve.