Arabia Saudite raportoi një rritje të rasteve me koronavirus
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Arabinë Saudite, Mohamed Abdelali tha se mbretëria regjistroi 119 raste të reja me koronavirus, duke e rritur numrin e përgjithshëm në 511.
Abdelali tha se 72 nga njerëzit e diagnostikuar rishtas, ishin shtetas turq nën karantinë në qytetin e shenjtë të Mekës pasi ndërvepruan me një person të infektuar.
"Ne kemi filluar të shohim më shumë raste të lidhura me ndërveprimet. Ne i këshillojmë të gjithë të qëndrojnë në shtëpi", tha ai në një konferencë për shtyp, duke shtuar se më shumë se 4,000 njerëz janë nën karantinë.
Rajoni ka zgjeruar masat për të luftuar përhapjen e sëmundjes. Kuvajti dhe Arabia Saudite kanë ndërmarrë disa nga hapat më drastikë përfshirë ndalimin e fluturimeve ndërkombëtare, pezullimin e punës në shumicën e institucioneve dhe mbylljen e vendeve publike.
Spanja planifikon të zgjasë afatin e gjendjes së jashtëzakonshme
Qeveria e Spanjës do të kërkojë nga parlamenti të miratojë zgjatjen dy javore të gjendjes së jashtëzakonshme në përpjekje për të luftuar koronavirusin, tha kryeministri, Pedro Sanchez.
Duke folur pas një takimi me krerët e qeverisë rajonale, Sanchez tha se qeveria e tij dëshiron të zgjasë kufizimet në lëvizje që u prezantuan në 14 mars, dhe të cilat parandalojnë spanjollët të largohen nga shtëpitë e deri në 11 prill.
Të shtunën autoritetet në Spanjë raportuan për 394 viktima nga koronavirusi.
Kjo shifër e çon në 1,720 numrin total të të vdekurve si pasojë e sëmundjes COVID-19 në Spanjë.
Në Maqedoninë e Veriut shënohet vdekja e parë nga koronavirusi
Regjistrohet viktima e parë nga koronavirusi në Maqedonisë e Veriut.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se bëhet fjalë për një grua 57 vjeçe nga qyteti i Kumanovës, e cila pasi ka ndërruar jetë është diagnostikuar me Covid-19.
Ajo, sipas ministrit, dy herë më parë kishte rezultuar negativ në analizat e bëra.
Viktima javën e fundit është trajtuar në izolim në spitalin e Kumanovës.
Numri i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 114 persona.
Iraku shpall masën e izolimit të përgjithshëm
Iraku vendosi masën e izolimit mbarëkombëtar, deri më 28 mars, për të luftuar koronavirusin e ri, pasi numri i infeksioneve dhe vdekjeve shënoi rritje.
Deri më tani janë shënuar 20 të vdekur nga koronavirusi i ri.
Shumica e 18 provincave të Irakut kishin zbatuar deri tani rregullat e tyre, por masat e reja do të përfshijnë tërë vendin.
Shkollat, universitetet dhe vendet e tjera të grumbullimit do të mbeten të mbyllura, sikurse aeroportet e shumta ndërkombëtare të vendit, thuhet në një deklaratë të parë nga AFP.
Frika në Irak është rritur pasi vendi fqinj Irani ka shënuar 1,685 vdekje nga koronavirusi i ri.
Iraku së pari mbylli kufirin me Iranin - rreth një muaj më parë - si dhe vendosi trupa për të zbatuar vendimin.