Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
14:59 22.3.2020

Çekia mund të nisë me relaksimin e masave kundër koronavirusit në mes të prillit

Masat e ashpra në Republikën Çeke, të cilat janë ndërmarrë për frenimin e përhapjes së koronavirusit, mund të relaksohen brenda tri javësh, tha kreu i Komitetit të Krizave në këtë vend, Roman Prymula.

Duke folur për televizionin lokal Prima, ai tha se ritmi i infektimeve në Çeki është duke u ngadalësuar dhe shfaqi shpresën se numri total i rasteve nuk do të kalojë 10,000.

Nëse ndodh kështu, Prymula tha se qeveria mund të nisë me relaksimin e masave parandaluese, që përfshijnë mbylljen e kufijve, ndalimin e lëvizjeve jo të domosdoshme dhe mbylljen e dyqaneve, pos atyre ushqimore dhe farmacive.

Prymula, epiedmiolog dhe zëvendësministër i Shëndetësisë, nuk e specifikoi se cilat masa mund të relaksohen, por tha se fokusi do të jetë në kufizimin e humbjeve ekonomike.

Republika Çeke aktualisht ka 1,047 raste të konfirmuara me koronavirus.

 

14:37 22.3.2020

Serbisë i arrin edhe një avion me ndihma nga Kina

Në Beograd ateroi të dielën avioni i dytë me ndihma mjekësore nga Kina për trajtimin e situatës së krijuar me koronavirus.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë raporton se ndihmat përfshijnë maska, respiratorë dhe barna.

Avioni i parë me ekspertë shëndetësorë dhe ndihma mjekësore ka arritur nga Kina në Beograd, të shtunën.

Ata janë pritur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Serbia “nuk duhet t’ia harrojë Kinës këtë ndihmë”.

Kina është vendi i shpërthimit të koronavirusit, por autoritetet atje kanë raportuar rënie të numrit të rasteve në ditët e fundit.

Në Serbi, ndërkaq, janë 188 raste të konfirmuara me koronavirus dhe dy pacientë kanë humbur jetën.

14:20 22.3.2020

Australia rrit masat kundër koronavirusit

Australia do t’i mbyllë shërbimet jothelbësore pasi numri i rasteve me koronavirus në këtë vend është duke u rritur shpejt.

Klubet, palestrat, kinematë dhe lokacionet fetare do të mbyllen nga mesdita e së hënës, ndërsa nga restorantet dhe kafenetë, gjërat do të mund të blihen dhe të merren me vete.

Dyqanet ushqimore, farmacitë dhe stacionet e benzinës do të mbeten të hapura.

Kryeministri Scott Morrison i bëri publike këto masa pas një takimi të kabinetit qeveritar.

Ai tha se dëshiron që shkollat t'i mbajë hapur, porse prindërit mund t’i mbajnë fëmijët në shtëpi nëse duan ta bëjnë këtë.

Numri i rasteve me koronavirus në Australi është rritur ndjeshëm në ditët e fundit, duke arritur në 1,315.

13:54 22.3.2020

Khamenei: Virusi, në mënyrë specifike, është krijuar për Iranin

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e refuzoi ofertën e Amerikës për ta ndihmuar këtë vend në luftën kundër koronavirusit.

Në një fjalim televiziv, Khameni tha se SHBA-ja është “armiku më i keq i Iranit”.

Ai po ashtu përmendi një teori konspiracioni, të ngritur edhe nga disa zyrtarë kinezë, se Amerika është "përgjegjëse për pandeminë".

“Nuk e di se sa e vërtetë është kjo akuzë, por kur ekziston, kush do t’iu besonte atyre (SHBA-së). Ndoshta, ilaçet e juaja janë mënyrë për të përhapur virusin edhe më shumë”, tha Khamenei.

Pa ofruar ndonjë dëshmi, ai tha se “virusi, në mënyrë specifike, është krijuar për Iranin, duke i përdorur të dhënat gjenetike të iranianëve, që janë marrë me mjete të ndryshme.

Irani është një nga vendet e goditura më së keqi në botë nga koronavirusi.

Ai ka mbi 20,000 rase të të infektuarve, ndërsa mbi 1,680 pacientë atje kanë humbur jetën.

Lexoni edhë këto:

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG