Koronavirusi mbyll një nga sistemet më të ngarkuara hekurudhore në botë
Një nga sistemet më të ngarkuara hekurudhore në botë do të mbyllet për udhëtarët e zakonshëm, nisur nga e hëna, për të penguar përhapjen e koronavirusit në Mumbai – njërin nga qytetet më të populluara të Indisë.
Vetëm punonjësit qeveritarë në “shërbimet thelbësore” do të lejohen të udhëtojnë me tren.
Tetë milionë njerëz e shfrytëzojnë çdo ditë rrjetin e trenave në Mumbai.
I mbingarkuar gati tri herë më shumë seç kapaciteti i tij, ky është një nga sistemet më të ngarkuara hekurudhore në botë.
India ka mbi 330 raste të konfirmuara me koronavirus.
Kalon 100 numri i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut
Ka shkuar në 114 numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 29 raste të reja, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Numri më i madh i rasteve të reja është në Shkup, gjithsej 19, që e çojnë në 65 numrin e të infektuarve në kryeqytet.
Një person vazhdon të jetë në gjendje kritike, ndërsa të tjerët janë në gjendje të qëndrueshme, kanë thënë autoritetet shëndetësore.
Si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit, në Maqedoninë e Veriut, nga e diela, hyn në fuqi ora policore, e cila nis në orën 21:00 dhe do të zgjasë deri në orën 06:00.
Në Spanjë, 1,720 viktima nga koronavirusi
Autoritetet në Spanjë raportuan për 394 viktima nga koronavirusi qysh të shtunën.
Kjo shifër e çon në 1,720 numrin total të të vdekurve si pasojë e sëmundjes COVID-19 në Spanjë.
Mbi 3,600 raste të reja të të infektuarve janë konfirmuar po ashtu.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë, në total 28,572 njerëz janë identifikuar si të prekur nga koronavirusi, ndërsa 2,575 janë shëruar.
Pas Italisë dhe Kinës, Spanja ka numrin më të madh në botë të rasteve me koronavirus.
Shumica e viktimave në këtë vend janë regjistruar në kryeqytetin Madrid.
Edhe 29 raste të reja me koronavirus në Kroaci, situatën e rëndon edhe tërmeti
Në Kroaci të dielën u regjistruan edhe 29 raste të reja me koronavirus, të cilat e çojnë në 235 numrin total të të infektuarve në këtë vend.
Situatën atje, për më tepër, e rëndoi edhe tërmeti që goditi në veri të Zagrebit, mëngjesin e sotëm.
Shefja e Shtabit të Krizave, pranë Ministrisë së Shëndetësisë në Kroaci, Maja Gërba Bujeviq, u bëri thirrje qytetarëve që kanë dalë në rrugë për shkak të tërmetit, të vishen mirë dhe të kenë kujdes nga i ftohti.
Ajo po ashtu kërkoi nga ta që t’i respketojnë masat e distancës nga njëri-tjetri, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Pamje nga pasojat e tërmetit në Kroaci: