Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
17:24 22.3.2020

PDK-ja kritikon menaxhimin e situatës nga ana e qeverisë

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ish- Ministër i Shëndetësisë, në një konferencë për media, ka kritikuar qeverinë për mos marrjen e masave për të vënë në karantinë personat të cilët kanë hyrë në Kosovë nga shtetet e ndryshme.

Ismaili theksoi se mungesa e testimeve të shpeshta, po bën që virusi të përhapet në vende të ndryshme të Kosovës.

Ai, theksoi se numri prej 31 personave të infektuar, nuk mund të jetë real, duke ngritur dyshime se ky numër mund të jetë më i madh.

“Neglizhenca për të berë testime dhe deshtimi per të bërë testime mund të jetë shumë i kushtueshme për qytetarët dhe Kosovën. E para që mund të ndodh është se mund të ngarkohet në një kohë të caktuar sistemi ku numri i njerëzve për testim mund të rritet dhe kjo do ta ngulfatë sistemin shendëtësor dhe mund të ketë humbje të jetëve më shumë”, tha Ismaili.

Institucionet e Kosovës e kanë shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore në Kosovë.

Personat të cilët vërtetohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e sëmurë apo të dyshimtë me sëmundjen nga koronavirus futen në karantinë.

Qendra e Studentëve në Prishtinë tashmë ka kaluar në menaxhim të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Shëndetësisë deri në pushimin e gjendjes emergjente të shpallur nga Qeveria e Kosovës. Aty janë vendosur në karantinë një numër i konsiderueshëm i personave.

17:09 22.3.2020

BBC: Informacioni mashtrues po përhapet në WhatsApp

Informacionet mashtruese për koronavirusin janë duke u përhapur në internet.

Postimet mund të jenë përzierje e informacioneve të sakta dhe të pasakta.

Në aplikaconin e mesazheve me WhatsApp po qarkullon në shumë vende të botës një mesazh me zë.

Disa raste të tilla janë raportuar nga audienca e BBC-së.

Informacioni në vetvete është një përzierje e këshillave. Disa janë të dobishme, siç është ajo që i inkurajon njerëzit të pinë shumë pije të nxehta dhe të lajnë sipërfaqet tërësisht. Padyshim një ide e mirë për tu mbajtur të hidratuar dhe të pastër.

Por, mesazhi me zë gjithashtu përfshin këshilla mashtruese. Folësi-ja sugjeron se "rrezet e diellit neutralizojnë virusin" dhe që koronavirusi mund të vritet duke pirë "një gllënjkë me ujë të ngrohtë çdo 20 minuta". Nuk ka asnjë bazë shkencore për asnjë nga këto pretendime.

16:55 22.3.2020

Një simptomë e re?

Autoritetet shëndetësore në Francë kanë thënë se po vëzhgojnë një simptomë të re të mundshme të Covid-19 - humbjen e ndjenjës së të nuhaturit ose aromës (e njohur si anosmia).

Kreu i shërbimit shëndetësor francez, Jerome Salomon, ka thënë "zhdukja e papritur e ndjenjës së të nuhaturit ose aromës" te pacientët që nuk i kishin hundët e bllokuara, duket se ishte një simptomë, megjithëse e rrallë.

Mjekë të tjerë kanë paralajmëruar që hulumtimi ende nuk është zhvilluar sa duhet.

Valerie Barrault, një paciente 59-vjeçare me Covid-19 në zonën e Parisit derisa po pëjetonte anosminë, i tha BBC-së: "Ju hani dhe nuk mund të shijoni asgjë. Kjo po më streson tani".

16:27 22.3.2020

Kosova ka testuar 400 persona për koronavirus

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, i thanë Radios Evropa e Lirë, se deri më tash janë kryer mbi 400 teste për personat e dyshuar me virusin COVID-19.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, tha se tash më në dispozicion janë edhe mbi 900 teste të tjera.

Hoti, ka shpjeguar po ashtu, se Ministria e Shëndetësisë ka porositur edhe 7 mijë teste të tjera të cilat, sipas tij, pritet të arrijnë në Kosovë në javën e ardhshme.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë konfirmuar më 13 mars.

Deri më tash janë 31 persona janë të prekur, ndërsa një pacient ka humbur jetën.
Sipas Hotit në Kliniken Infektive, aktualisht janë 18 persona në trajtim, kurse, rastet e tjera në vetizolim shtëpiak dhe kujdes shëndetësor sipas nevojes.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG