Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
18:52 22.3.2020

Bie numri i vdekjeve në Itali

Gjatë 24 orëve të fundit në Itali nga koronavirusi kanë vdekur 651 persona.

Ky është numër më i ulët, se një ditë më parë, kur ishin raportuar 793 persona të vdekur.

Në aspektin global, Italia ka numrin më të madh të viktimave nga kjo sëmundje: 5,476.

Sipas qeverisë, numri i rasteve të konfirmuara si të infektuar me koronavirus është rritur nga 53.578 në 59.138, një rritje prej 10%.

 

18:29 22.3.2020

Gjermania ndalon tubimet me më shumë se dy persona

Gjermania forcoi kufizimet e ndërveprimit shoqëror, duke ndaluar takimet publike të më shumë se dy personave, për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

"Qëllimi është të fitosh kohë në luftën kundër virusit", tha kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një konferencë për shtyp.

"Të paktën për dy javët e ardhshme, njerëzit nuk do të lejohen të formojnë grupe me më shumë se dy persona në publik, përveç nëse ata jetojnë së bashku në të njëjtën familje ose tubimi është i lidhur me punën", shtoi ajo.

Si pjesë e një sërë rregullash më të rrepta, Gjermania vendosi që restorantet mund të ofrojnë vetëm shërbime për marrje të ushqimit me vete, ndërkaq bizneset e parukierëve, masazheve dhe ato të tatuazheve duhet të mbyllen.

18:16 22.3.2020

Greqia vendos orën policore

Greqia njoftoi se do të vendosë orën policore, duke kufizuar lëvizjen e njerëzve me pak përjashtime, si pjesë e përpjekjeve të mëtejshme për të luftuar koronavirusin, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis, në një fjalim televiziv të dielën.

Masa do të hyjë në fuqi të hënën në mëngjes.

"Ndoshta është hapi i fundit, dhe  duhet të merret menjëherë . Ne duhet të mbrojmë të mirën e përbashkët, shëndetin tonë", tha Mitsotakis. 

Greqia të dielën konfirmoi 94 raste të reja me koronavirus duke e çuar numrin e përgjithshëm në 624. 

Autoritetet kanë njoftuar për 15 persona të vdekur nga ky virus. 

17:40 22.3.2020

Nesër fillon mësimi në distancë në Kosovë

Ministrja e Arsimit në Kosovë, Hykmete Bajrami ka konfirmuar se që nga 23 marsi në Kosovë do të fillojë mësimi në distancë. 

“Fillimisht do të kemi mësim në gjuhën shqipe dhe matematikë për klasat e para deri në të pesta. Mësimi do të transmetohet në RTK1 dhe RTK4”, ka thënë Bajrami në një konferencë për media, duke shtuar se mësimet do të jenë të disponueshme edhe në dy platforma në internet për të cilat është duke u punuar. 

"Ditët në vazhdim do të prodhojmë materiale për klasat 6-9 e më vonë do të vazhdojmë edhe më gjimnaze dhe shkolla profesionale", tha Bajrami. 

Më 11 mars, Qeveria e Kosovës ka vendosur që në përputhje me vendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shpallur gjendje pandemie në nivel global në lidhje me koronavirusin e ri, t’i ndërmarrë disa masa parandaluese, përfshirë edhe mbylljen e shkollave.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG