Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
20:13 22.3.2020

Kompania Facebook dhuron maska mbrojtëse

Shefi kompanisë Facebook, Mark Zuckerberg, tha të dielën se kompania e mediave sociale ka dhuruar rezervën e saj urgjente prej 720,000 maska për t'u siguruar punonjësve shëndetësorë më shumë pajisje mbrojtëse.

Shtetet e Bashkuara po ballafaqohen me rritje të kërkesës për maska të frymëmarrjes për shkak të përhapjes së koronavirusit të ri. Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore në SHBA synon që gjatë 18 muajve të ardhshëm të blejë 500 milionë maska.

 

19:41 22.3.2020

Merkel në karantinë 

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është vendosur në karantinë pasi u informua se një mjek që e kishte ekzaminuar, është testuar si pozitiv për koronavirusin e ri.

Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, tha në një deklaratë se Merkel do t’i nënshtrohej "testeve të rregullta" në ditët në vijim dhe për momentin do të vazhdojë me punën e saj nga shtëpia.

Ai shtoi se kancelarja gjermane, e cila është 65 vjeç, u informua për rastin e mjekut, menjëherë pasi mbajti një konferencë shtypi të dielën, ku njoftoi për masa të reja të shtetit gjerman si përpjekje për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. 

Për shumicën e njerëzve, koronavirusi i ri shkakton vetëm simptoma të buta ose të moderuara, siç janë ethet ose kollitja. Për disa, veçanërisht të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore ekzistuese, mund të shkaktojë sëmundje më serioze, përfshirë pneumoninë. 

Rreth 93.800 njerëz janë shëruar, kryesisht në Kinë.

 

19:22 22.3.2020

Në Kosovë janë konfirmuar edhe dy raste me koronavirus

Instituti i Shendetësisë Publike ka njoftuar edhe për dy raste të reja me koronavirus në Kosovë.

“Dy prej rasteve pozitive janë raste kontakti njëri me vendbanim nga fshati Vrapçiç komuna e Gjilanit, e gjinisë femër me moshë 50 vjeç dhe tjetri me vendbanim nga fshati Domanek komuna e Malishevës i gjinisë mashkull i moshës 53vjeç”, ka njoftua Instituti i Shëndetësisë Publike.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve, tani është ngritur në 33 persona.

 

19:10 22.3.2020

Në Serbi 222 raste me koronavirus 

Deri në ora 18, më 22 mars, në Serbi janë konfirmuar 222 raste me koronavirus, tha ministria e Shëndetësisë.

Deri më tani, gjithsej 761 persona janë testuar për koronavirus.

Dy njerëz kanë vdekur nga kjo sëmundje.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG