Abe: Shtyrja e Olimpiadës mund të bëhet e pashmangshme
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha se shtyrja e Lojërave Olimpike Verore në Tokio mund të bëhet “e pashmangshme”, nëse gara nuk mund të zhvillohet “në formën e saj të plotë”.
Abe i bëri këto komente pasi Kanadaja u bë vendi i parë që u tërhoq nga Olimpiada, për shkak të përhapjes globale të koronavirusit.
“Nëse mbajtja e Lojërave bëhet e vështirë, mund të bëhet i pashmangshëm vendimi për shtyrjen e tyre”, tha Abe.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është përballur me presion në rritje për të shtyrë Olimpiadën - e cila duhet të nisë më 24 korrik dhe të zgjasë deri më 9 gusht - për shkak të shqetësimeve për shëndetin, që paraqet koronavirusi.
Gati 15,000 njerëz në gjithë botën kanë humbur jetën nga sëmundja.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka thënë më 22 mars se vendimi se kur do të mbahen Lojërat Olimpike do të merret “brenda katër javëve të ardhshme”.
Përse koronavirusi i “kursen” fëmijët?
Nga të dhënat e bëra publike duket se ata që kanë më shumë simptome dhe komplikime nga koronavirusi janë njerëz më të vjetër.
Përse ky virus duket se i kursen fëmijët? Për Zërin e Amerikës përgjigjet Steven Zeichner, drejtues i Divizionit të Sëmundjeve Infektive Pediatrike, pranë Universitetit të Virxhinias:
Trump aktivizon Gardën Kombëtare për të luftuar koronavirusin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të aktivizojë Gardën Kombëtare për të ndihmuar në ngritjen e stacioneve mjekësore dhe shpërndarjen e qindra tonelatave furnizime në tre shtetet e goditura më së keqi nga shpërthimi i koronavirusit: Kaliforni, Nju Jork dhe Uashington.
Në një konferencë për media nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se garda do të jetë në komandën e tre guvernatorëve, shtetet e të cilëve përbëjnë 58 për qind të rasteve me koronavirus në gjithë SHBA-në.
Shteti i Nju Jorkut ka numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus: mbi 15,000.
Kryetari i qytetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio, ka thënë se mungesat e furnizimeve mjekësore mund të dalin në pah brenda ditësh.
Disa guvernatorë, përfshirë atë të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, i kanë kërkuar Shtëpisë së Bardhë që t’i kombinojë përpjekjet për sigurimin e furnizimeve mjekësore, duke thënë se shumica e udhëheqësve të 50 shteteve janë në garë kundër njëri-tjetrit për të blerë atë që është në dispozicion.
Në gjithë SHBA-në janë mbi 33,000 raste të konfirmuara të të infektuarve me koronavirus, ndërsa mbi 400 pacientë kanë humbur jetën.
Shënohet viktima e parë nga koronavirusi në Mal të Zi
Në Mal të Zi u regjistrua rasti i parë i vdekjes nga koronavirusi.
Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Qendrës Klinike në Podgoricë, Jevto Erakoviq.
Viktima është një burrë, 65 vjeç, i cili ka pasur edhe sëmundje kronike të mushkërive.
Ai është shtruar në spital të shtunën.
“Të gjitha masat që janë ndërmarrë, për fat të keq nuk kanë mundur të shërojnë pacientin”, tha Erakoviq.
Në Mal të Zi janë konfirmuar 22 raste të të infektuarve me koronavirus.
Ky shtet ka mbi 5,000 vetë në izolim, në disa karantina.