Mbi 2,000 të vdekur nga koronavirusi në Spanjë
Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Spanjë ka kaluar 2,000.
Qeveria e Spanjës raportoi të hënën për 2,182 persona të vdekur.
Sipas saj, 462 viktima janë regjistruar vetëm në 24 orët e fundit.
Pas Italisë, e cila ka mbi 5,400 persona të vdekur, Spanja është rajoni më i goditur nga koronavirusi në Evropë.
Rohani e refuzon ndihmën e SHBA-së për luftimin e koronavirusit
Irani e refuzoi sërish ofertën e Shteteve të Bashkuara për ndihmë humanitare në betejën kundër koronavirusit.
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se Uashingtoni duhet t’i heqë sanksionet kundër Republikës Islamike, nëse do që ta ndihmojë atë.
“Udhëheqësit amerikanë po gënjejnë. Nëse duan ta ndihmojnë Iranin, e gjitha që duhet të bëjnë, është të heqin sanksionet. Pastaj, do të mund ta trajtonim shpërthimin e koronavirusit”, tha Rohani në një fjalim televiziv.
Irani është vendi i goditur më së keqi nga koronavirusi në Lindjen Mesme.
Rreth 1,700 njerëz kanë vdekur atje, ndërsa mbi 21,000 janë konfirmuar si të infektuar.
Uashingtoni i ka ofruar ndihmë humanitare Iranit, por udhëheqësi suprem i këtij vendi, Ajatollah Ali Khamenei, e ka refuzuar atë të dielën.
Tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë rritur qysh në vitin 2018, kur presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore me Iranin dhe i ka rikthyer sanksionet ekonomike kundër tij.
Autoritetet iraniane kanë thënë se sanksionet e SHBA-së i kanë dëmtuar përpjekjet e tyre për të luftuar shpërthimin e koronavirusit.
Çarshia e Shkupit e zbrazët
Rrugët e Çarshisë së vjetër të Shkupit si asnjëherë më parë janë të zbrazëta për shkak të koronavirusit. Pjesa më e madhe e dyqaneve janë të mbyllura.
Harvey Weinstein i infektuar me koronavirus
Ish-producenti i Hollywood-it, Harvey Weinstein, njëherësh i dënuar për sjellje të keqe seksuale, ka dalë pozitiv në testet për koronavirus.
Weinstein është duke e vuajtur dënimin me burgim.
Autoritetet thanë se ai tani ndodhet në izolim.
Weinstein është shpallur fajtor për përdhunim dhe sulm seksual muajin e kaluar dhe është dënuar me 23 vjet burgim.
Avokatët e tij janë zotuar se do ta apelojnë vendimin.