Territori palestinez i Gazës regjistron rastet e para me koronavirus
Dy rastet e para me koronavirus u konfirmuan në territorin palestinez të Gazës.
Të infektuarit janë dy burra, 79 dhe 63 vjeç, të cilët janë kthyer në fundjavë nga Pakistani, duke udhëtuar përmes Egjiptit.
Ata ndodhen tani në karantinë në qytetin Rafah.
Autoritetet thanë se secili që ka qenë në kontakt me ta, është vendosur po ashtu në izolim.
Duke folur nga Bregu Perëndimor të dielën, kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh, i urdhëroi njerëzit të qëndrojnë në shtëpi gjatë dy javëve të ardhshme.
Shqipëri: Katër viktima nga koronavirusi, personi i pestë në vdekje klinike
Në Shqipëri u regjistrua edhe një viktimë nga koronavirusi, ndërsa, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë vend, një person, 61-vjeçar, ka pësuar vdekje klinike.
Gjatë ditëve të kaluara kanë vdekur edhe tre persona të infektuar në Shqipëri: një nga Durrësi, një nga Fieri dhe një nga Kuçova.
Deri tani, në Shqipëri janë testuar gjithsej 804 raste të dyshuara me koronavirus.
Prej tyre, janë të konfirmuar pozitivë 89 raste.
Disa përgjigje të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për koronavirusin:
Koreja J. raporton numrin më të ulët të të infektuarve në katër javë
Koreja e Jugut raportoi numrin më të ulët të rasteve të reja me koronavirus, që nga kulmi i infektimeve katër javë më parë.
Autoritetet shëndetësore raportuan për 64 raste të reja në 24 orët e fundit, të cilat e çojnë në 8,961 numrin e të infektuarve në këtë vend.
Sipas tyre, 111 pacientë kanë humbur jetën.
Zyrtarët shëndetësorë, megjithatë, paralajmërojnë kundër relaksimit, duke thënë se Koreja e Jugut vazhdon të përballet me luftë të gjatë kundër koronavirusit.
Evropa Jugore është aktualisht në qendër të pandemisë.