Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
16:48 23.3.2020

Punëtorët në Lombardi paralajmërojnë greva

Sindikatat në rajonin e Lombardisë kanë njoftuar për organizim të grevave të hënën, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve të tyre, pasi kanë thënë se dekreti qeveritar për mbyllje të bizneseve për shkak të koronavirusit ka lënë shumë hapësirë për interpretim.

Italia është përballur me shpërthimin më vdekjeprurës të pandemisë që përcillet me probleme në frymëmarrje.

Deri më tani në këtë shtet kanë vdekur të paktën 5,476 persona, shumica prej tyre në Lombardi, rajonin e pasur italian, në të cilën gjendet edhe kryeqyteti financiar, Milano.

Pamje nga Milano.
Pamje nga Milano.

Një dekret qeveritar, i nënshkruar të dielën, ka përcaktuar që të gjitha bizneset përveç atyre që janë të “domosdoshme” të mbyllen deri më 3 prill.

Në të është përfshirë një listë e gjatë e bizneseve, që janë përjashtuar nga kjo masë, pasi janë konsideruar jetike për të mbajtur gjallë zixhirin e furnizimit në Itali.

Gjatë ditës, disa kompani që përpunojnë metalin, më pas punëtorë të kompanive që merren me lëndë kimike, janë ankuar për sigurinë e tyre, pasi këta sektorë nuk lidhen me atë të shëndetësisë, andaj veprimtaria e tyre nuk është tejet e domosdoshme këto ditë.

Punëtorët e disa bankave po ashtu kanë kërcënuar me grevë, duke thënë se po detyrohen që të punojnë në kushte të pasigurta, pa maska, doreza dhe lëngje dezinfektuese.

Lajmin e plotë e gjeni këtu.

16:18 23.3.2020

Shkon në 35 numri i të prekurve nga koronavirusi në Kosovë​

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar të hënën se janë konfirmuar edhe dy raste tjera të prekura me koronavirusin e ri.

“Dy prej rasteve pozitive janë raste kontakti njëri me vendbanim nga fshati Petrovë komuna e Shtimes, e gjinisë mashkull me moshë 44 vjeç dhe tjetra me vendbanim në Prishtinë nga komuna e Prishtinës e gjinisë femër e moshës 39 vjeç”, është thënë në njoftim.

Duke përfshirë dy rastet e fundit, numri i personave të infektuar në Kosovë me këtë sëmundje ka arritur në 35.

Autoritetet kanë njoftuar të dielën edhe për një person të vdekur nga Covid-19.

Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje të emergjencës për shëndetin publik me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

15:53 23.3.2020

KEDS: Mospagesa e faturave rrezikon furnizimin me energji elektrike

Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) dhe Operatori për furnizim me energji elektrike në Kosovë (KESCO) kanë thënë përmes një komunikate se situata e fundit e krijuar pas përhapjes së koronavirusit është duke e rrezikuar edhe funksionalitetin e këtyre trupave, pasi kanë rënë në minimum pagesat e energjisë elektrike, duke e bërë të pamundur mbulimin e shpenzimeve.

“Energjia elektrike është jetike në këto kohë të vështira që po kalon vendi dhe në përballimin e kësaj situate involvimi i të gjithë akterëve është i domosdoshëm. Në presim zgjidhje dhe mbështetje edhe nga Qeveria e Kosovës, pasi situata e pagesave është rënduar së tepërmi pas tendencës për shtyerje të pagesave në bazë të deklarimeve publike të bëra po nga qeveria”, thuhet në njoftimin e KEDS.

Qeverisë së Kosovës deri më tash i është bërë kërkesë nga disa shoqata ekonomike që pagesat e ujit, energjisë, ngrohjes dhe mbeturinave të shtyhen deri më 30 prill.

Megjithatë ekzekutivi nuk e ka përfshirë një gjë të tillë, në kuadër të masave që ka marrë për luftimin e përhapjes së koronavirusit.

Deri më tani në Kosovë është raportuar për 33 persona të infektuar me koronavirus, si dhe për një të vdekur si pasojë e kësaj sëmundjeje.

15:50 23.3.2020

Situata me koronavirus në Itali – vendin më të prekur në Evropë:

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG