Rumania përballet me rritje të numrit të të infektuarve
Rumania ka raportuar të hënën një rritje të ndjeshme të numrit të personave që janë infektuar dhe kanë vdekur nga koronavirusi i ri, teksa presidenti Klaus Iohannis i ka bërë thirrje publikut që të vetizolohet me qëllim të parandalimit të përhapjes së smëundjes.
Grupi Strategjik i Komunikimit në Rumani, trup që është duke u përballur me shpërthimin, ka raportuar për 143 raste të reja, duke e dërguar në 576 numrin total të të prekurve nga Covid-19.
Në 24 orët e fundit është vërejtur 45 për qind rritje e numrit të të prekurve, përderisa pesë persona kanë humbur jetën.
Sipas autoriteteve, të pesë personat kanë qenë të moshuar dhe me probleme shëndetësore.
Merkel në pritje të rezultatit të testit për koronavirus
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është në pritje të rezultatit të testit për koronavirus, tha zëdhënësi i saj, Steffen Seibert.
Merkel është vendosur në vetizolim të dielën, pasi ka vizituar një mjek të infektuar me koronavirus.
“Kancelarja ndjehet mirë”, tha Seibert gjatë konferencës së rregullt për media.
Ai nuk dha detaje se kur pritet rezultati i testit.
Gjermania ka mbi 26,220 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa 86 pacientë kanë vdekur.
Mbi 100,000 të shëruar nga koronavirusi
Ka kaluar 100,000 numri i personave që janë shëruar nga sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri, COVID-19.
Sipas shifrave që ka publikuar Universiteti Johns Hopkins, 100,182 persona janë shëruar plotësisht.
Sipas burimit të njëjtë, 350,536 njerëz në botë aktualisht janë të prekur me koronavirus, ndërsa 15,328 kanë humbur jetën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar së voni Evropën si epiqendër të koronavirusit.
Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Kinë, në fund të vitit të kaluar, dhe që atëherë janë përhapur në mbi 150 vende të botës.
Shumica e vendeve të prekura kanë ndërmarrë masa të ashpra për frenimin e sëmunjdes, si: mbyllja e shkollave, restoranteve dhe kafiterive.
COVID-19: Pamje me dron nga Prishtina, Praga dhe Sarajeva
Shumë qytete të Evropës janë zbrazur ditëve të fundit pasi autoritetet kanë kërkuar qëndrimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit. (VIDEO:AP)