Ka shenja të ngadalësimit të infeksioneve në Gjermani
Ka shenja se ritmi i infeksioneve të reja me koronavirus në Gjermani është duke u ngadalësuar për herë të parë, falë masave të distancimit social, tha të hënën kreu i Institutit të Shëndetit Publik.
“Kemi shenja se ritmi i rritjes së rasteve po ngadalësohet. Por, këtë trend do të mund ta konfirmoj përfundimisht të mërkurën”, tha Robert Koch.
Ai tha se është optimist se masat e marra deri më tani në Gjermani, përfshirë mbylljen e shkollave, udhëzimet për larjen e duarve dhe paralajmërimet e rrepta kundër tubimeve publike, kanë efekt.
Gjermania ka mbi 26,220 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa 86 pacientë kanë vdekur.
Kosova porosit 7,000 teste për koronavirus
Shtatëmijë teste për koronavirus janë porositur nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe ato pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak ditësh, thanë zyrtarë të këtij institucioni.
Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në këtë ministri, tha se ofertuese e testeve ëshë një kompani vendore, por nuk dha më shumë detaje për të.
Hoti po ashtu tha se është porositur terapi klorokine (Chlorochuine), por theksoi se për përdorimin e saj do të vendosin profesionistët e fushës.
“Brenda pak ditësh do t’i kemi edhe dozat e para të produktit klorokine. Por, duhet përmendur se akoma nuk ka një medicament, i cili është treguar i suksesshëm në trajtimin e kësaj sëmundjeje”, tha Hoti.
Për medikamentin tjetër azitromycine, me të cilin thuhet se mund të trajtohen pacientët e prekur me koronavirus, në kombinim me të parin, Hoti tha se është në listën esenciale të barnave dhe se ka në stoqe.
Aktualisht, vaksinë kundër sëmundjes që shkakton koronavirusi, COVID-19, nuk ka.
Kosova ka 33 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa një pacient ka humbur jetën të dielën.
Mbretëria e Bashkuar mbyll mijëra restorante
Mijëra restorante të ushqimeve të shpejta do të mbyllen në Mbretëirinë e Bashkuar, nisur nga e hëna, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Nando’s do t’i mbyllë të gjitha restorantet në rreth 400 lokacione.
Subway, i njohur për sanduiçet e tij, do t’i mbyllë 1,700 pikat e shitjes, nisur nga ora 17:00, sipas kohës lokale.
McDonald's do t’i mbyllë të 1,270 restorantet e tij nga ora 19:00.
Ndërsa, zinxhiri i kafiterive Costa do t’i mbyllë të 2,000 pikat e shitjes deri në fund të ditës.
Mbretëria e Bashkuar ka mbi 5,740 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa 281 pacientë kanë vdekur.
Viktima nga koronavirusi në disa vende të Ballkanit
Maqedonia e Veriut regjistroi të hënën viktimën e dytë nga koronavirusi.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi, bëhet fjalë për një burrë të moshës 63-vjeçare nga Dibra.
Në Shqipëri, autoritetet shëndetësore njoftuan të hënën se numri i viktimave aje ka arritur në katër, ndërsa pacienti i pestë ka pësuar vdekje klinike.
Mali i Zi shënoi të dielën mbrëma viktimën e parë nga koronavirusi, ndërsa pak orë më herët edhe në Kosovë u shënua një viktimë.
Në Serbi, ndërkaq, kanë vdekur dy pacientë.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, numrin më të madh të të prekurve me koronavirus e ka Sllovenia: 414.