Ndërlidhjet

Shënohet viktima e dytë nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut


Ilustrim
Ilustrim

Është regjistruar viktima e dytë nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë në Shkup. Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për një burrë të moshës 63-vjeçare nga Dibra. Pacienti ishte shtruar për trajtim mjekësor në Klinikën e Sëmundjeve Infektive më 17 mars, pa temperaturë të lartë trupore.

“Gjatë natës, gjendja e tij u përkeqësua në mënyrë të papritur, ai menjëherë u vendos në aparat të frymëmarrjes, por brenda disa orësh gjendja e tij u përkeqësua më tej dhe pacienti ndërroi jetë. Pacienti nuk kishte histori të njohur të komorbiditetit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në total janë raportuar 136 të infektuar, 22 raste të reja dhe një pacient i shëruar.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe njoftoi se organet kompetente po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të plakenilit ose hidroklorikinës me azitromicinën si terapi kundër koronavirusit.

Të dielën në Maqedoninë e Veriut u regjistrua viktima e parë nga koronavirusi, një grua e moshës 57-vjeçare nga Kumanova.

Sipas të dhënave të fundit, numri i të infektuarve me koronavirusin në vend ka arritur në 114. Mbi katërmijë persona janë në vetizolim.

Nga e diela në mbrëmje ka hyrë në fuqi edhe ora policore, nga ora 21.00 deri në orën 06.00 të mëngjesit.

“Për herë të parë në historinë e vendit tonë kemi kufizuar lëvizjen në të gjithë territorin. Tashmë e dini se asgjë nuk është njësoj, se gjithçka është e jashtëzakonshme, dhe qytetarët e dinë që të gjithë duhet të sillen jashtëzakonisht dhe me përgjegjësi. Duhet të respektojnë vendimet dhe urdhrat që marrin nga zyrtarët e autorizuar. Kjo nuk është vetëm një betejë e shëndetësisë, policisë apo ushtrisë, por e secilit prej nesh. Sa më mirë të sillemi, aq më shumë do të kemi rezultate pozitive dhe aq më shpejt do të kalojmë këtë situatë”, ka deklaruar kryeministri Oliver Spasovski.

Për mosrespektim të orës policore, MPB-ja ka bërë të ditur ndalimin e 18 personave. Për mosrespektim të masës parashihet dënim me burg deri në një vjet dhe gjoba të larta.

XS
SM
MD
LG