Ndërlidhjet

Arrin në 114 numri i personave të infektuar me koronavirus në Maqedoninë e V.


Shkup
Shkup

Ka shkuar në 114 numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 29 raste të reja, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Numri më i madh i rasteve të reja është në Shkup, gjithsej 19 duke e çuar në 65 numrin e të infektuarve në kryeqytet. Një person vazhdon të jetë në gjendje kritike ndërsa të tjerët janë në gjendje të qëndrueshme.

Në Maqedoninë e Veriut prej të dielës hyn në fuqi ora policore e cila nis në orën 21.00 dhe do të zgjasë deri në orën 06.00 të mëngjesit.

Kryeministri maqedonas, Oliver Spasovski, tha se ky është një nga vendimet më të vështira që është marrë që nga pavarësimi i vendit, por sipas tij është një vendim i rëndësishëm dhe thelbësor për ruajtjen e jetës së qytetarëve.

“Është shumë me rëndësi që çdonjëri prej nesh t’i përshtatet situatës shumë shqetësuese në të cilën gjendemi. Të bëjmë gjithçka për sjellje të përgjegjshme. Nga çdo individ dhe çdo subjekt kërkojmë që të jetë pjesë e kësaj beteje të përbashkët. Nëse duam që të mbrojmë kombin, të gjithë duhet të sillemi me përgjegjësi në këtë situatë të jashtëzakonshme në të cilën gjendemi”, ka deklaruar kryeministri Spasovski në një paraqitje të jashtëzakonshme para qytetarëve.

Ushtria pritet të angazhohet në ruajtjen e objekteve vitale dhe të pikave të ndjeshme në vend.

"Beteja nuk do të jetë e lehtë. Vendimi për angazhimin e ushtrisë nuk ishte i lehtë, por është i arsyeshëm. E gjithë bota po përballet me një epidemi dhe rrezik që askush nuk mund ta imagjinonte dhe kërkon që ne të gjithë të jemi të përgjegjshëm dhe të angazhuar. Kjo është arsyeja pse ushtria po bën gjithçka mundet për të ndihmuar autoritetet shtetërore dhe njerëzit ", ka deklaruar ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.

Si shpërndahet COVID-19 dhe si ta mbroni veten kundër tij?

Me qëllim të përballjes me krizën ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi, qeveria ka vendosur të marrë një borxh prej rreth 600 milionë euro. Këto mjete do të shfrytëzohen për mbështetjen e kompanive të goditura dhe për garantuar likuiditetin e buxhetit.

Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se nga e hëna do të nis me organizimin e fluturimeve humanitare për të kthyer në vend më shumë se 2,300 shtetas të Maqedonisë së Veriut që janë të bllokuar në shtete tjera.

XS
SM
MD
LG