Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
18:11 23.3.2020

Merkel nuk ka koronavirus

Testi i kancelares gjermane, Angela Merkel për koronavirus ka rezultuar negativ, ka thënë një zëdhënës i saj, duke shtuar se liderja e Gjermanisë do të vazhdojë të kryejë edhe testime tjera.

Merkel, 65-vjeçare, ka hyrë në karantinë të shtunën, pasi ka qenë në kontakt me një doktor të infektuar.

Zëvendës-kancelari, Olaf Scholz ka thënë të hënën se Merkel ka shëndet të mirë dhe se është duke punuar nga shtëpia.

“Testi ka qenë negativ. Do të kryhen edhe teste tjera”, ka thënë zëdhënësi i saj.

Merkel ka marrë të premten një vaksinë kundër një bateri që shkakton pneumoninë, mirëpo më vonë ka hyrë në karaninë, pasi mjeku që e ka trajtuar ka qenë i infektuar me Covid-19.

Gjermania ka mbi 26,220 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa 86 pacientë kanë vdekur.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

 

18:01 23.3.2020

Republika Çeke zgjat masat për kufizim të lëvizjes deri më 1 prill

Ministri i Brendshëm i Republikës Çeke, Jan Hamacek ka thënë se miraton vazhdimin e masave për kufizim të lëvizjes së njerëzve dhe mbyllje të dyqaneve deri më 1 prill, me qëllim të luftimit të përhapjes së koronavirusit të ri.

Hamacek ka thënë përmes një konference për media më 23 mars se këto masa nënkuptojnë që edhe restorantet duhet të qëndrojnë të mbyllura derisa të merret vendim tjetër.

Me qëllim të zbehjes së dëmeve ekonomike si pasojë e shpërthimit të koronavirusit, qeveria po ashtu ka miratuar masa lehtësuese për kompanitë, dhe punëtorë që nuk kanë kontrata fikse të punës.

Ky shtet deri më tani ka raportuar për 1,165 persona të prekur me këtë sëmundje.

Praga.
Praga.

 

17:37 23.3.2020

Autobusët në Prishtinë pajisjen me dezinfektues

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se autobusët në kryeqytetin e Kosovës tani janë pajisur me dezinfektues.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka thënë se transporti publik do të ndalojë së funksionuari secilën ditë në ora 20:00, derisa të merret vendim për masa tjera.

Deri më tani në Kosovë është raportuar për 35 persona të infektuar dhe një të vdekur, si pasojë e koronavirusit të ri.

17:27 23.3.2020

SHBA-ja për koronavirusin: Kjo javë do të jetë e rëndë

Numri i personave të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri në botë ka tejkaluar shifrën 15,000, ndërkohë që mbi 350,000 të tjerë janë infektuar.

Zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se situata “do të përkeqësohet” këtë javë, teksa pandemia është në përhapje e sipër.

Evropa vazhdon të jetë epiqendër e koronavirusit, pasi numri i personave të vdekur po vazhdon të rritet në Itali, Spanjë, Francë dhe Gjermani.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Italia ka numrin më të madh të viktimave, 5,476, pa harruar edhe rreth 59,000 të infektuar, një rritje prej më shumë se 1,400 vdekjeve dhe 12,000 rasteve të reja të të infektuarve brenda 48 orëve të fundit.

Italia përcillet nga Kina, ku edhe është vërejtur fillimisht virusi, me 3,274 raste deri më 23 mars, apo një rritje prej 15 vdekjeve përgjatë dy ditëve paraprake.

Nga rreth 81,500 persona që janë infektuar me Covid-19 në Kinë, Pekini ka thënë se 73,000 tanimë janë shëruar.

Pas disa javëve të vëzhgimit të disa shteteve teksa janë përballur me pandeminë, Shtetet e Bashkuara tani janë shteti i tretë më i prekur me këtë virus, pasi kanë raportuar për 35,000 persona të infektuar, duke përfshirë 471 tjerë të vdekur, ka raportuar Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve.

“Unë dua që Amerika të kuptojë që kjo javë do të jetë e rëndë”, ka thënë mjeku, Jerome Adams, në një intervistë për programin “Today” në kanalin NBC.

“Deri më tani, nuk ka mjaftueshëm njerëz që janë duke trajtuar këtë situatë me seriozitet, sidomos të rinjtë”, ka thënë ai.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG