Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
20:27 23.3.2020

Shtyhen finalet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës

Ndeshjet finale të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës janë shtyrë për shkak të shpërthimit të koronavirusit, ka thënë trupi udhëheqës në këtë sport, Federata Evropiane e Futbollit (UEFA).

Finalet në këto liga ishte planifikuar të mbaheshin në muajin maj.

Ende nuk është e ditur ndonjë datë se kur do të zhvillohen këto ndeshje.

Përveç kësaj, është bërë e ditur se është pezulluar edhe sezona e brendshme spanjolle, derisa, siç ka thënë qeveria, të caktohet një datë që nuk përbën rrezik për shëndetin publik.

Spanja deri më tani ka regjistruar 2,182 vdekje nga koronavirusi, ka njoftuar qeveria e këtij shteti më herët.

Numri i rasteve të regjistruara deri më tani ka kaluar shifrën 33,089.

 

20:06 23.3.2020

Bie numri i viktimave në Itali për të dytën ditë me radhë

Italia ka raportuar të hënën për 602 njerëz të vdekur nga koronavirusi.

Kjo shifër e çon në 6,078 numrin e viktimave në Itali, por, në të njëjtën kohë, tregon se numri i të vdekurve ka rënë për të dytën ditë me radhë.

Të dielën, autoritetet italiane kanë raportuar për 651 të vdekur.

Italia është vendi i goditur më së keqi në Evropë nga koronavirusi, me afro 70,000 njerëz të infektuar.

Javën e kaluar, ajo e ka kaluar Kinën – vendin e origjinës së koronavirusit – me numrin e viktimave.

Aktualisht, Kina ka 3,153 viktima.

19:20 23.3.2020

Si duhet të vendoset maska për t’u mbrojtur nga koronavirusi? Sa shpesh duhet të ndërrohet dhe si duhet të hidhet në plehra? Organizata Botërore e Shëndetësisë u përgjigjet këtyre pyetjeve dhe të tjerave përmes infografikave.

 

19:02 23.3.2020

Shefi i OBSH-së: Pandemia ka marrë hov

 

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë të hënën se pandemia e koronavirusit “ka marrë hov”.

“Janë dashur 67 ditë nga rasti i parë për të arritur në 100,000 raste; 11 ditë për 100-mijëshin e dytë dhe vetëm katër ditë për 100-mijëshin e tretë”, ka thënë Ghebreyesus në një konferencë për media në Gjenevë.

Ai po ashtu ka thënë se do t’iu adresohet krerëve të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, këtë javë, për t’iu kërkuar që të punojnë së bashku në prodhimin e paisjeve mbrojtëse.

OBSH-ja e ka shpallur Evropën epiqendër të pandemisë.

Italia dhe Spanja bartin numrin më të madh të viktimave dhe të të infektuarve.

Pas tyre vijnë Gjermania, Franca, Zvicra e të tjera.

Shumica e vendeve të prekura në botë kanë ndërmarrë masa të ashpra – përfshirë izolimin dhe mbylljen e kufijve – në përpjekje për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG