Britania shton kufizimet në lëvizje
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se nga orët e para të së mërkurës, njerëzit në Britani do të lejohen që të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për “qëllime shumë të kufizuara” , siç është blerja e gjërave të domosdoshme, përdersa udhëtimi në punë do të bëhet vetëm nëse është “absolutisht i nevojshëm”.
Qytetarët britanikë po ashtu janë këshilluar që të mos takohen me familjarë dhe miq, me të cilët nuk jetojnë.
Sipas kryeministrit britanik, zyrtarët policorë kanë fuqi për të zbatuar rregulllat, duke përfshirë kapacitetet për të lëshuar gjoba dhe shmangie të grumbullimit të shumë njerëzve në një hapësirë.
Të gjitha ngjarjet, përfshirë dasmat dhe ceremonitë fetare janë ndaluar, përderisa në publik tani nuk është e lejuar as ecja e më shumë se dy personave.
Këto masa është thënë se do të rishikohen sërish brenda tre javëve dhe do të lehtësohen nëse “ka të dhëna se ka mundësi për të bërë një gjë të tillë”.
Deri më tani në Britani është raportuar për 6,724 persona të infektuar dhe rreth 336 të vdekur si pasojë e koronavirusit.
Ekipi i Britanisë "pritet të largohet nga Lojërat Olimpike"
Britania e Madhe ka thënë se nuk do të dërgojë ekipin e saj në Lojërat Olimpike në Tokio këtë vit, nëse vazhdon të përhapet me këtë ritëm koronavirusi i ri, ka thënë kryetari i Asociacionit Olimpik të Britanisë, Hugh Robertson.
“Ne nuk shohim ndonjë mënyrë si mund të zhvillohet kjo gjë pasi gjërat janë të lidhura”, ka thënë ai.
Kanadaja tashmë është larguar nga Lojërat Olimpike, teksa kryeministri i këtij shteti, Justin Trudeau ka thënë se kombet tjera duhet të “ndjekin këtë ritëm”.
Australia po ashtu ka thënë se atletët e saj do të përgatiten për ngjarjen e vitit 2021, përderisa Norvegjia i ka bërë thirrje presidentit të Komitetit Olimpik, Berit Kjoell që të mos dërgojë atletët e këtij shteti në këto Lojëra, derisa të kontrollohet kjo pandemi.
“Shpresoj se do t’i bashkohemi shumë shpejt Kanadasë dhe Australisë”, ka shtuar Robertson.
Lojërat Olimpike është planifikur të mbahen më 24 korrik.
Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ka thënë të dielën se anulimi “nuk është në agjendë”.
Pavarësisht lavdërimeve dhe shenjave se 1.4 miliard kinezë janë “pastruar” nga koronavirusi i ri, paralajmërimet për kthim të masave të izolimit duket se janë të pashmangshme, të paktën edhe vitin e ardhshëm.
Lexoni hollësitë këtu
Serbia do ta përdorë modelin kinez kundër koronavirusit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paralajmëroi të hënën se 48 orëve të ardhshme do të nisë testimi masiv i qytetarëve për koronavirus.
Duke folur në një konferencë për media në Qeverinë e Serbisë, Vuçiq tha se ky vendim është marrë pas takimit me ekspertët shëndetësorë nga Kina.
Sipas tij, ekspertët kinezë, me testime masive e kanë zgjidhur për 29 ditë çështjen e përhapjes së virusit në një qytet të Kinës, i cili ka madhësinë e Serbisë.
Vuçiq tha se do të ndryshojë qasjen në shërimin e të sëmurëve dhe shtoi se pjesëtarët e ushtrisë së Serbisë do t’i bëjnë gati 3,000 shtretër për pacientë.
Presidenti serb tha se mjekët do të përpiqen “t’i gjurmojnë gati të gjitha kontaktet që kanë pasur të prekurit me koronavirus” në përpjekje për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Në Serbi numri i të prekurve me Covid-19m të hënën ka arritur në 249, ndërsa pacienti i tretë ka humbur jetën.