Vuhani do të dalë nga izolimi më 8 prill
Pas më shumë se dy muajsh, izolimi i Vuhanit – qytetit kinez ku është shfaqur koronavirusi për herë të parë – do të marrë fund më 8 prill, raporton media shtetërore e Kinës.
Pjesët e tjera të provincës Hubei, kryeqytet i së cilës është Vuhani, do t’i heqin ndalesat në udhëtim nga 25 marsi.
Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Vuhan, në fund të vitit të kaluar.
Që atëherë, ato janë shpërndarë në mbi 150 vende të botës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, pandemi.
Vendet e prekura kanë ndërmarrë masa të ashpra për të frenuar përhapjen e saj, duke mbyllur shkollat, bizneset jothelbësore dhe kufijtë.
Aktualisht, epiqendër e sëmundjes, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është Evropa.
Sëmundja ka prekur mbi 381,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa mbi 16,500 kanë humbur jetën.
Kina, ditëve të fundit, ka raportuar për rënie të vazhdueshme të numrit të të infektuarve.
Ora policore në Maqedoni të Veriut
Në Maqedoni të Veriut ka nisur të zbatohet ora policore. Qeveria ka urdhëruar që nga ora 21:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit, qytetarët të mos kenë të drejtë të lëvizin. Në rrugët e kryeqytetit maqedonas, Shkup, gjatë orës policore janë parë vetëm patrullat e policisë. Kjo është një ndër masat që autoritetet maqedonase kanë ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Presidenti Thaçi kundërshton masat e qeverisë për kufizim të lirisë së lëvizjes
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kundërshtuar masat e vendosur nga qeveria për kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe qarkullimit, pa u shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Gjatë një konference për media, Thaçi tha se kufizimi i lirisë së lëvizjes mund të bëhet vetëm nëse paraprakisht shpallet gjendje e jashtëzakonshme.
Sipas Thaçit, kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij, e kanë shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Kosovës.
Sipas tij, vendimi për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve paraqet shmangie nga liritë që garantohen me Kushtetutë.
Lajmi e plotë e gjeni këtu
Kosovë: 61 të prekur me koronavirus
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se pas marrjes së mostrave të 100 personave që kanë qenë në kontakt të afërt me pacientë të infektuar me koronavirus, është konfirmuar edhe për 26 persona tjerë të prekur me këtë sëmundje.
“Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, njëzet e gjashtë (26) prej tyre kanë rezultuar positive”, është thënë në njoftim.
Ky Institut ka njoftuar se 14 raste janë Komuna e Malishevës, 11 raste nga Gjilani dhe 1 rast nga Gjakova.
Duke marrë parasysh rastet e fundit, i bie që në Kosovë aktualisht është raportuar për 61 persona të prekur nga kjo sëmundje.
Të dielën është raportuar edhe për 1 person të vdekur si pasojë e infektimit me Covid-19.