Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
09:30 24.3.2020

Si dhe kur duhet të përdoret maska?

Si duhet të vendoset maska për t’u mbrojtur nga koronavirusi? Sa shpesh duhet të ndërrohet dhe si duhet të hidhet në plehra? Organizata Botërore e Shëndetësisë u përgjigjet këtyre pyetjeve dhe të tjerave përmes infografikave:

 

08:59 24.3.2020

Gjysma e popullsisë amerikane urdhërohet të qëndrojë në shtëpi

Më shumë se gjysma e shteteve amerikane kanë vendosur kufizime të reja për njerëzit, në përpjekje për të frenuar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.

Shumica e tyre kanë lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi, për të shmangur rritjen e numrit të njerëzve që infektohen.

Shtetet e Bashkuara kanë tani numrin e tretë më të madh të rasteve në botë, pas Kinës dhe Italisë.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, mbi 46,000 njerëz janë të infektuar atje dhe 610 kanë humbur jetën.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar të hënën se pandemia e koronavirusit "po merr hov", por ka thënë se është akoma e mundur që "të ndryshohet trajektorja".

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Së paku 18 shtete të SHBA-së, në të cilat jetojnë 158 milionë njerëz, ose gati gjysma e popullsisë amerikane, kanë lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi.

Banorët mund të dalin vetëm për të blerë ushqime, ilaçe ose nevoja të tjera.

Uashingtoni, ku ka ndodhur më shumë se një e katërta e vdekjeve në SHBA nga koronavirusi, është bërë shteti më i fundit që ka lëshuar urdhër të tillë.

Nju Jorku, i cili ka mbi 20,000 njerëz të infektuar dhe 157 viktima, ka kërkuar urgjentisht pajisje mjekësore.

08:39 24.3.2020

Gati 5,000 të infektuar brenda një dite në Gjermani

Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Gjermani është rritur për 4,764 brenda ditës, duke e çuar në 27,436 numrin total të të infektuarve.

Të dhënat u publikuan të martën nga Instituti për Sëmundje Infektive “Robert Koch”.

Sipas tyre, në Gjermani kanë vdekur 114 njerëz si pasojë e sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Megjithaë, autoritetet gjermane kanë thënë të hënën se ka shenja të ngadalësimit të ritmit të rasteve të reja me koronavirus.

08:28 24.3.2020

Trump: Aziatiko-amerikanët “nuk duhet të fajësohen” për koronavirusin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili është kritikuar për etiketimin e koronavirusit si “virus kinez”, tha se aziatiko-amerikanët nuk duhet të fajësohen për shpërthimin e sëmundjes.

"Është shumë e rëndësishme që ne t'i mbrojmë plotësisht aziatiko-amerikanët”, tha Trump, duke i vlerësuar ata si "njerëz të mahnitshëm".

Ai i bëri komentet në kohën kur ka gjithnjë e më shumë raportime për sulme verbale dhe fizike ndaj komunitetit aziatik në SHBA, për shkak të pandemisë, shkruan BBC.

Koronavirusi vazhdon të përhapet në Shtetet e Bashkuara, ku aktualisht janë mbi 43,000 njerëz të infektuar dhe 533 të vdekur.

Në një konferencë për media, javën e kaluar, Trump ka përdorur termet “virus kinez” dhe “virus i Kinës”, duke i hedhur poshtë sugjerimet e gazetarëve se ato janë raciste.

“Vjen nga Kina. Nuk është fare raciste”, ka thënë Trump.

Kina, ku rastet me koronavirus janë shfaqur për herë të parë në fund të vitit të kaluar, i ka kritikuar deklaratat e Trumpit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërkaq, ka lëshuar një udhëzim kundër “stigmatizimit të komuniteteve të caktuara” kur flitet për sëmundjen.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG