Martti Ahtissari i infektuar me koronavirus
Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtissari, njëherësh ish-ndërmjetësues i Kombeve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, thuhet në një njoftim të Zyrës së Presidencës finlandeze.
“Infektimi është konfirmuar të hënën, më 23 mars. Presidenti Ahtisaari është mirë, marrë parasysh situatën”, thuhet në njoftim.
Lajmi është konfirmuar edhe nga djali i Ahtisaarit, Marko, përmes një postimi në Twitter.
Ai ka thënë se tre ditë më herët, edhe nëna e tij është konfirmuar si rast me koronavirus.
Ahtisaari, i cili i ka 82 vjet, ka qenë në krye të Finlandës nga viti 1994 deri më 2000.
Më 2008 ka fituar Çmimin Nobel për Paqe për kontributin shumëvjeçar në ndërmjetësimin e paqes.
Në Finlandë janë konfirmuar 700 raste të të infektuarve me koronavirus dhe një viktimë.
Rrëfimet e mjekëve - Afër pacientëve, distancë në shtëpi
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndonëse ka mundësi për karantinim të personelit, aty nuk është izoluar askush prej stafit.
Mjekët aty thonë se pas orarit të punës kthehen në shtëpi te familja. Disa mbajnë distancën sociale sipas rregullave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë edhe në shtëpi.
Por, disa që kanë fëmijë të vegjël, vazhdojnë kujdesin prindëror në shtëpi.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Turqia vë kufizime në dyqanet ushqimore dhe transport publik
Turqia shpalli kufizime mbarëkombëtare në dyqane ushqimore dhe transport publik, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Ministria e Brendshme tha se dyqanet ushqimore do të jenë të hapura nga ora 9:00 e mëngjesit deri në 21:00 dhe numri i konsumatorëve brenda do të kufizohet varësisht madhësisë së dyqanit.
Mjetet e transportit publik në të 81 provincat do të lejohen të jenë gjysmë të mbushura, për të shmangur kontaktet e afërta, tha Ministria e Brendshme.
Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca, tha se numri i të vdekurve nga koronavirusi në këtë vend ka arritur në 37, ndërsa mbi 1,500 vetë janë infektuar.
Turqia, vend me 83 milionë banorë, nuk i ka zbuluar deri më tash lokacionet e të infektuarve ose viktimave.
Ministrja Hajdari siguron se do të ketë furnizime të rregullta me drithë dhe miell
Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë i ka siguruar qytetarët se i ka marrë të gjithë hapat e nevojshëm për furnizimin e rregullt të tregut me drithë dhe miell.
Njoftimi për media vjen në kohën kur Kosova, si edhe vendet e tjera të botës, po përballet me përhapjen e një koronavirusi që shakton sëmundjen COVID-19.
Aktualisht, 61 persona në Kosovë janë të infektuar dhe një ka humbur jetën.
Si masë për frenimin e sëmundjes, autoritetet në Kosovë kanë mbyllur kufijtë, shkollat, restorantet, parqet.
Dyqanet ushqimore dhe barnatoret mbeten të hapura.
Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, i porositi qytetarët se blerjet masive, të nxitura nga paniku, janë të panevojshme.
Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë mjete financiare dhe burime të duhura për të siguruar furnizimin me mallrat esenciale.
Në njoftimin për media thuhet se ministria që udhëheq Hajdari po bashkëpunon me akterët përkatës në tregun vendor dhe rajonal, si dhe me mekanizmat shtetërorë, për të siguruar bukën për qytetarët gjatë periudhës së pandemisë.
Ditëve të fundit, në Kosovë janë vërjetur blerje të shtuara nga qytetarët, sidomos të produkteve ushqimore.