Shqipëri: Një i vdekur dhe 19 raste të reja në 24 orë
Në Shqipëri, një qytetar 49-vjeçar ka vdekur në Spitalin Infektiv në Tiranë, duke shënuar kështu viktimën e pestë nga koronavirusi.
Eugena Tomini, nga Instituti për Shëndetitn Publik, tha se në 24 orët e fundit janë kryer 74 testime për persona që dyshohen se janë prekur me sëmundjen Covid-19 dhe se janë konfirmuar 19 raste të reja.
Këto shifra e çojnë në 123 numrin e të prekurve në Shqipëri.
Vendet e Quint-it i kërkojnë Kosovës të përqendrohet në luftën kundër koronavirusit
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, të njohura si vendet e Quint-it, u kanë bërë thirrje udhëheqësve institucionalë dhe politikë në Kosovë që të përqendrohen në luftën kundër sëmundjes COVID-19, të shkaktuar nga një koronavirus i ri.
Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për kufizim të lëvizjes së qytetarëve disa orë në ditë, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka kundërshtuar këtë vendim dhe e ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Në Kosovë janë komfirmuar 61 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa një pacient ka humbur jetën.
“Në këtë moment kritik, i nxisim ata (udhëheqësit) të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe t’i japin përparësi luftës kundër COVID-19 në Kosovë, e jo politikës, duke iu kujtuar se vendet tona i kanë marrë të gjitha masat e jashtëzakonshme në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave të vendeve të Quint-it.
Javën e kaluar, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës – parti partnere e koalicionit qeverisës – ka iniciuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit ka shkarkuar nga pozita e ministrit të Brendshëm, Agim Veliun, i cili vjen nga LDK-ja.
Në orët e para të masave të reja për kufizim të lëvizjes, të vendosura nga Qeveria e Kosovës me qëllim luftimin e përhapjes së koronavirusit, rrugët e kryeqytetit Prishtinë duken të zbrazta:
Thaçi i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me masat ndaluese të qeverisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesën që të interpretojë kushtetutshmërinë e vendimit të qeverisë për kufizimin e lirisë së qarkullimit të qytetarëve, pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si masë luftimi kundër koronavirusit.
Në bazë të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës në luftën për parandalimin e sëmundjes, nga data 24 mars e vitit 2020, ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe i automjeteve private prej orës 10:00 deri në orën 16:00, si dhe prej orës 20:00 deri në orën 06:00.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.