Maqedoni e Veriut: 148 persona të infektuar me koronavirus
Ka arritur në 148 numri i personave të prekur me koronavirus në Maqedoninë e Veriut.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 12 raste të reja me Covid-19.
Shkupi mbetet me numrin më të lartë të të infektuarve, gjithsej 88. Dy persona kanë ndërruar jetë, ndërsa një është shëruar.
Prej të martës në mesnatë, në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë në fuqi kufizime të reja të lëvizjes së qytetarëve: ora policore do të zgjasë nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ndërsa për të moshuarit mbi 67 vjeç kufizimi nis nga ora 11:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Kufizime janë vendosur edhe për të rinjtë deri në 18 vjeç, të cilët nuk lejohen të lëvizin nga ora 21:00 deri në orën 12:00.
Numri i qytetarëve në vetizolim në këtë vend ka arritur në afër 10,000 apo 2,000 më shumë krahasuar me një ditë më parë.
Drejtori i urgjencës kombëtare në Shqipëri infektohet me koronavirus
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë konfirmoi se një prej 19 rasteve të konfirmuara si pozitive me koronavirus, ditën e sotme, është edhe drejtori i urgjencës kombëtare, Skënder Brataj.
Brataj është vetizoluar në shtëpi, në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
"Dr. Skënder Brataj është konfirmuar pozitiv pas kryerjes së analizës për Covid19. Deri tani gjendja e tij paraqitet e stabilizuar dhe dr. Brataj ndodhet në vetizolim, në shtëpinë e tij", tha ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu.
Në Shqipëri, aktualisht janë 123 persona të prekur me koronavirus, ndërsa pesë pacientë kanë humbur jetën.
Edhe 514 viktima nga koronavirusi në Spanjë
Në 24 orët e fundit në Spanjë, 514 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me koronavirus.
Shifra e çon në 2,696 numrin total të viktimave në këtë vend.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të infektuarve në Spanjë ka arritur 39,673.
Pas Italisë, Spanja është vendi më i prekur nga koronavirusi në Evropë.
Kryeqyteti Madrid ka numrin më të madh të viktimave: 1,535.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, pritet të kërkojë sot miratimin e parlamentit për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 11 prill, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Arrin në gati 2,000 numri i viktimave nga koronavirusi në Iran
Irani njoftoi të martën se 122 pacientë kanë humbur jetën nga koronavirusi në 24 orët e fundit.
Shifra e çon në 1,934 numrin total të viktimave në këtë vend.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianush Jahanpur, tha në televizionin shtetëror se numri i të infekturave me koronavirus ka arritur në 24,811, pas diagnostikimit të 1,762 rasteve të reja në 24 orët e fundit.
Irani është vendi i goditur më së keqi nga koronavirusi në Lindjen e Mesme.
Të hënën, autoritetet iraniane e kanë refuzuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara për luftimin e sëmundjes.