Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
15:35 24.3.2020

Lirohen përkohësisht nga TVSH-ja importet e grurit dhe miellit

Ministria e Financave dhe Transfereve e Kosovës ka marrë vendim për lirimin e përkohshëm nga pagesa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për të gjitha importet e grurit dhe miellit.

Njoftimi vjen në kohën kur Kosova - si edhe vendet e tjera të botës - po përballet me përhapjen e një koronavirusi që shakton sëmundjen COVID-19.

Aktualisht, në Kosovë janë 61 persona të infektuar, ndërsa një pacient ka humbur jetën.

Ministria e Financave dhe Transfereve tha se vendimi i saj për lirim nga TVSH-ja të importeve të grurit dhe miellit hyn në fuqi nga dita e sotme dhe se për zbatimin e tij obligohet Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

14:58 24.3.2020

Prishtina e qetë, pas masave të Qeverisë së Kosovës për kufizim të lëvizjes:

Prishtina e qetë pas masave për kufizim të lëvizjes
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:27 0:00

 

14:51 24.3.2020

Lojërat Olimpike Verore shtyhen për vitin 2021

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha se ai dhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, janë pajtuar për të shtyrë Lojërat Olimpike Verore Tokio 2020 për një vit, si pasojë e pandemisë së sëmundjes Covid-19.

“Kam propozuar shtyrjen e Olimpiadës për rreth një vit dhe presidenti Bach është pajtuar 100%”, u tha Abe gazetarëve.

Ky veprim, i paparë në kohë të paqes, është kërkuar “të merret në konsideratë në rrethanat e tanishme”, shtoi Abe.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar tha se Olimpiada 2020 do të mbahet “jo më vonë se vera e vitit 2021” dhe se Lojërat do të quhen Tokio 2020.

Olimpiada, e cila mbahet çdo katër vjet qysh në vitin 1948, është ngjarja e profilit më të lartë që anulohet, si pasojë e sëmundjes Covid-19.

Kjo sëmundje, e cila shkaktohet nga një koronavirus i ri, ka vrarë mbi 17,000 njerëz në botë.

Tokio, deri më tash, ka shpenzuar rreth 12.6 miliardë dollarë për organizimin e Lojërave Olimpike.

14:33 24.3.2020

BE-ja Kosovës: Është koha për unitet politik

Bashkimi Evropian u bëri thirrje udhëheqësve të institucioneve të Kosovës që të punojnë së bashku për luftimin e pandemisë së sëmundjes COVID-19, të shkaktuar nga një koronavirus i ri.

“Në këtë kohë të vështirë dhe sfiduese, populli i Kosovës ka nevojë për udhëzime të qarta dhe siguri se do të ndërmerren të gjitha masat e mundshme për t’i zbutur efektet e pandemisë”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Kosova ka aktualisht 61 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa një person ka humbur jetën.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për kufizim të lëvizjes së qytetarëve disa orë në ditë, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka kundërshtuar këtë vendim dhe e ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

“U bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve të institucioneve që të punojnë së bashku (në respektim të plotë të Kushtetutës së Kosovës) dhe ta drejtojnë tërë energjinë dhe mundin e tyre drejt luftimit të pandemisë dhe ofrimit të sigurisë për popullin e Kosovës. Nuk është koha për antagonizma politikë ose institucionalë, por për unitet politik”, porositi BE-ja.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG