India do të izolohet plotësisht
India, shteti i dytë më i populluar në botë, ka shpallur izolim nga orët e para të së mërkurës, për 21 ditë.
“Do të ketë ndalim të plotë të daljes nga shtëpitë tuaja”, ka thënë kryeministri, Narendra Modi në një fjalim televiziv.
Deri më tani është raportuar për 482 persona të infektuar me koronavirus dhe nëntë persona të vdekur në këtë shtet.
Kryeministri Indian, Narendra Modi u ka thënë indianëve që “të harrojnë” daljen nga shtëpitë e tyre në ditët në vijim.
Teksa i është drejtuar kombit, ai ka thënë se “distancimi shoqëror” është mënyra e vetme për ta luftuar virusin në këtë shtet.
Kryeministri indian ka thënë se disa njerëz në këtë shtet, e kanë keqinterpretuar këtë koncept dhe nuk kanë vepruar me “përgjegjësi në ditët e fundit”.
Ai ka thënë se izolimi do të ruajë shumë jetë të indianëve”.
Ai ka prezantuar një fond prej rreth 2 miliardë dollarëve për luftim të virusit dhe është zotuar për përmirësim të qendrave shëndetësore në këtë shtet.
Rumania shpall "karantinë totale"
Presidenti rumun, Klaus Iohannis ka thënë më 24 mars se do të angazhojë ushtrinë për të ndihmuar në zbatimin e “karantinës totale” me qëllim të ngadalësimit të përhapjes së koronavirusit të ri, në kohën e rritjes së numrit të rasteve.
Rumania ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme më 16 mars, mirëpo numri i rasteve ka vazhduar të rritet ndjeshëm, meqë njerëzit kanë injoruar rekomandimet e qeverisë për të qëndruar brenda.
Më 24 mars, autoritetet kanë raportuar për 186 raste tjera - shifrën më të lartë të shënuar në baza ditore - dhe një vdekje, duke e dërguar në 762 numrin e rasteve të infektuara dhe në tetë atë të fataliteteve.
Iohannis ka thënë përmes një fjalimi televiziv se duke nisur nga 25 marsi, njerëzve duhet t’iu lejohet të largohen nga shtëpitë vetëm për të blerë ushqim, ilaçe, për të shkuar në punë apo për emergjenca tjera.
Personave mbi moshën 65-vjeçare, nuk do t’iu ndalohet dalja nga shtëpitë.
Presidenti rumun po ashtu ka thënë se do të vëzhgohen edhe njerëzit e vendosur vetë në karantinë, por nuk ka dhënë detaje tjera.
Sipas tij, trupat ushtarake do të dalin në rrugë për t’i ndihmuar policisë në zbatimin e urdhrave.
Arabia Saudite shënon viktimën e parë nga koronavirusi
Arabia Saudite konfirmoi vdekjen e parë nga Covid-19, sëmundja që e shkakton një koronavirus i ri.
Viktima është një burrë 51 vjeç nga Afganistani, tha Ministria e Shëndetësisë.
Arabia Saudite ka 767 njerëz të infektuar me koronavirus.
Prej tyre, 205 raste të reja janë raportuar të martën.
Autoritetet saudite kanë vendosur kufizime të ashpra, përfshirë orën policore gjatë natës për tri javët e ardhshme, në përpjekje për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
OBSH: SHBA-ja mund të bëhet epiqendër e koronavirusit
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara kanë potencialin për t’u bërë epiqendër globale e shpërthimit të koronavirusit.
Duke folur në Gjenevë, zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris, tha se në SHBA ka pasur “rritje shumë të madhe të rasteve”.
“Ne nuk themi se kjo do të ndodhë, por SHBA-ja ka potencial për t’u bërë vatër e koronavirusit”, tha Harris, raporton Reuters.
Koronavirusi vazhdon të përhapet në Shtetet e Bashkuara, ku aktualisht janë mbi 46,000 njerëz të infektuar dhe 610 të vdekur.
Tash për tash, epiqendër e krizës është Evropa.