Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
19:41 24.3.2020

Në Kosovë edhe dy të infektuar me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se edhe dy persona kanë rezultuar pozitivë në testimet që u janë bërë me koronavirus, duke e dërguar 63 numrin e të prekurve me këtë sëmundje.

“Rastet e konfirmuara pozitive janë raste kontakti të gjinisë femër, njëra me vendbanim në fshatin Vrapçiç-Gjilan e moshës 25 vjeçe dhe tjetra me vendbanim në fshatin Studime e ulët-Vushtrri e moshës 73 vjeçe”, është thënë në njoftim.

Deri më tani, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë raportuar për një person të vdekur me koronavirus.

Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja së fundmi me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kundërshtuar vendimet e qeverisë për ndalim të qarkullimit disa orë në ditë duke kërkuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.

18:52 24.3.2020

Rritet sërish numri i të vdekurve në Itali

Italia aktualisht është shteti i prekur më së keqi nga koronavirusi, me 6,820 persona të vdekur.

Në 24 orët e fundit është raportuar për 743 vdekje të reja, apo 141 më shumë sesa ditën e hënë.

Të martën, zyrtarët italianë kanë thënë se 3,612 persona kanë dalë pozitivë në testin për virusin, duke e çuar shifrën në 69,176, që përbën ulje prej 1 për qind të numrit të të prekurve.

Kjo shifër ka dhënë shpresë se masat për mbajtje të distancës sociale janë duke dhënë efekt.

Shefi për Mbrojtje Civile në Itali, Angelo Borrelli, ka thënë për gazetën La Repubblica se mund të vlerësohet që numri i të infektuarve është 10 herë më i madh sesa në realitet.

“Në orët në vijim ne do të shohim nëse rritja e kurbës do të fillojë të ulet”, ka thënë ai për gazetën.

18:41 24.3.2020

Trump paralajmëron se masat e izolimit "mund ta shkatërrojnë shtetin"

Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbrojtur vendimin e tij për masa më të lehta izolimi në Shtetet e Bashkuara rreth koronavirusit, duke thënë se masat e ashpra mund të “shkatërrojnë” shtetin.

“Shumë njerëz pajtohen me mua. Shteti ynë – nuk është krijuar për t’u mbyllur”, ka thënë ai për kanalin Fox.

“Mund të shkatërroni shtetin në këtë mënyrë, duke e mbyllur atë”.

Trump ka thënë se duke filluar nga java e ardhshme ai do të “analizojë” nëse do të heqë masat për distancim shoqëror dhe karantinë, në mënyrë që ekonomia të kthehet në rrugën e vet.

“Ne nuk mund të humbim Boeing, ne nuk mund të humbim kompani të tilla”, ka thënë ai.

“Nëse humbim këto kompani, ne po flasim për qindra mijëra, miliona vende të punës”, ka thënë ai.

Deri më tani në Shtetet e Bashkuara janë mbi 46,000 njerëz të infektuar dhe 610 të vdekur me koronavirus.

Tash për tash, epiqendër e krizës është Evropa.

Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

 

17:49 24.3.2020

Guvernatori i Nju Jorkut: Shkalla e infektimit me Covid-19, më e keqe seç pritej

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo ka bërë thirrje për furnizim me pajisje mjekësore, duke paralajmëruar që kulminacioni i koronavirusit do të jetë më i rëndë sesa është parashikuar.

“Piku do të jetë më i madh sesa kemi menduar dhe është duke u rritur më shpejt se që kemi planifkuar”, ka thënë Cuomi para gazetarëve të martën.

Ai i ka thënë Qeverisë federale se nuk është duke dërguar mjaftueshëm pajisje për të luftuar krizën, duke thënë se këtij vendi i duhen 30,000 ventilatorë.

Nju Jorku deri më tani ka raportuar për 25,000 persona të prekur me koronavirus dhe të paktën 210 persona të vdekur.

“Neve na duhet ndihmë dhe neve na duhet ndihma federale tani”, ka thënë ai.

“Nju Jorku është kanarina në minierën e qymyrit, në Nju Jorku po ndodh fillimisht, ajo që po ndodh në Nju Jork, do të ndodhë në Kaliforni, Illinois, dhe kjo është çështje ditësh”.

Guvernatori ka kritikuar Agjencinë Federale për Menaxhim të Emergjencave për dërgim të 400 ventilatorëve në Nju Jork.

“Pra, 400 ventilatorë? Mua më duhen 30,000 ventilarorë. Nuk jeni duke u përballur me shkallën e problemit”.

Me 25,665 raste në Nju Jork, ky shtet tani regjistron më shumë se gjysmën e personave të infektuar në gjithë Shtetet e Bashkuara me sëmundjen Covid-19.

Deri më tani në Shtetet e Bashkuara janë mbi 46,000 njerëz të infektuar dhe 610 të vdekur me koronavirus.

Tash për tash, epiqendër e krizës është Evropa.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG