Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
12:28 25.3.2020

Çfarë po ndodhë në Lindjen e Mesme 

Në Jordan, ku janë raportuar 153 raste të konfirmuara të Covid-19, qeveria ka lehtësuar masat e izolimit. Ministrat kishin njoftuar se njerëzit nuk do të lejoheshin të dilnin nga shtëpitë e tyre dhe se komunat do të shpërndanin mallra thelbësore si bukë dhe ujë, raporton BBC.

Por, kryeministri, Omar Razzaz, tha se njerëzit tani do të lejohen të dilnin nga shtëpitë gjatë ditës për të shkuar në dyqanet ushqimore lokale, furrat buke dhe farmacitë.

Në zhvillime të tjera:

Izrael: Qeveria ka aprovuar kufizime të reja që do të hyjnë në fuqi në orën 17:00. Mediat izraelite raportuan se me gjasë njerëzve do tu kërkohet të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre. Pesë persona kanë vdekur në Izrael dhe 2.030 të tjerë janë infektuar.

Iran: Presidenti, Hassan Rouhani, ka paralajmëruar se qeveria e tij është e vendosur të zbatojë masa të reja të ashpra kundër koronavirusit. Ai tha se ato do të përfshijnë kufizime në lëvizje dhe mbase do të jenë "të vështira" për qytetarët. Pavarësisht se është vendi më i goditur në rajon, Irani deri tani ka rezistuar të vendosë  masa të ashpra të izolimit. Vendi, ka raportuar 2,077 vdekje të lidhura me raste Covid-19 dhe 27.017 të infektuar, megjithëse shifrat aktuale mendohet të jenë shumë më të larta.

Emiratet e Bashkuara Arabe: Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë raportuar 248 raste të konfirmuara dhe dy vdekje, si dhe kanë mbyllur gjitha aeroportet e saj.

12:04 25.3.2020

Shqipëria shpall gjendje të fatkeqësive natyrore 

Në Shqipëri në 24 orët e fundit janë konfirmuar 23 raste të reja me COVID-19 dhe janë kryer 111 testime.

Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë, duke informuar për situatën më të fundit të COVID-19 në Shqipëri, ka bërë të ditur se 72 nga të prekurit janë shtruar në spitalin infektiv, shumica prej të cilëve janë në gjendje të stabilizuar.

Ajo tregoi se harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Krujë dhe është zgjeruar në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës dhe Lezhë.

Lajmi i mire, shtoi ajo, është se 17 qytetarë deri në këto momente janë shëruar (të shtruar dhe të vetëizoluar) pas dy testeve të kryera.

Në anën tjetër, Qeveria e Shqipërisë ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin për shkak së koronavirusit. Gjendja do të zgjasë për një periudhë 30 ditore nga dita e martë kur hyri në fuqi, pas botimit të menjëhershëm në Fletoren Zyrtare, por ajo mund të zgjatet më shumë nëse është e nevojshme. 

Edhe presidenti i vendit Ilir Meta ka thirrë Këshillin e Sigurisë Kombëtare i cili pritet të mbahet ditën e sotme.

Nga koronavirusi në Shqipëri deri tani kanë vdekur pesë persona.  

11:56 25.3.2020

Princi Çarls është infektuar me koronavirusin e ri  

Princi Çarls në Mbretërinë e Bashkuar, 71 vjeç, është infektuar me koronavirusin e ri. 

Ai po shfaq simptoma të buta "por përndryshe mbetet në shëndet të mirë", tha një zëdhënës.

Gruaja e tij Kamilla, gjithashtu është testuar, por nuk ka virus.

Princi dhe Dukesha janë izoluar, ka thënë zëdhënësi, për të shtuar se "nuk ishte e mundur të konstatohej se nga kush është infektuar Princi Çarls". 

Princi Çarls
Princi Çarls

 

 

11:34 25.3.2020

Presidenti Thaçi viziton QKUK-në

Presidenti I Republikës së Kosovës, Hashim Thaqi, sot ka vizituar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ai në një paaqitje para gazetarëve ka thënë se stafi profesional  shëndetësorë ka treguar profesionalizëm sa i përket përballjes me koronavirusin, COVID19.

"Besoj se puna e gjithë këtyre mjekëve është një punë që duhet pasur përkrahje prej njerëzve dhe institucioneve. Shëndeti i qytetarëve është në duart e mjekëve dhe institucionet gjegjëse siç është Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Kapacitetet e tyre dhe profesionalizmi është model për rajonin’’, deklaroi Thaçi. 

Thaqi gjithashtu ka dërguar meshazh tek qytetarët  që të tregojnë kujdes, qetësi dhe përmbajtje.

"Jam i bindur se së bashku do ta kalojmë këtë të keqe. Dëgjoni dhe respektoni këshillat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Mënyra më e mirë për ta luftuar këtë është qëndrimi në shtëpi", ka thënë Thaçi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG