Situata aktuale e përhapjes së koronavirusit në Evropë
Qeveritë evropiane kanë vendosur masa të rrepta për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Por ekziston frika se duhet bërë më shumë, pasi shpërthimi vazhdon të përkeqësohet në të gjithë kontinentin, rapoton BBC.
Këto janë zhvillimet më të fundit:
Spanjë: Kryeministri, Pedro Sanchez do të kërkojë sot nga parlamenti të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme të vendit për dy javë të tjera deri më 11 prill. Numri i rasteve të reja dhe vdekjeve në është rritur në ditët e fundit, duke e bërë Spanjës vendin më të prekur pas Italisë. Shqetësues është fakti se më shumë se 5,000 nga 40,000 rastet e konfirmuara të saj janë punëtorë të kujdesit shëndetësor.
Francë: Të martën, Franca u bë vendi i pestë që shënoi më shumë se 1.000 vdekje që nga fillimi i shpërthimit. Jerome Salomon, zyrtari më i lartë shëndetësor i vendit, ka paralajmëruar se numri mund të jetë edhe më i lartë. Këshilltarët shkencorë thonë se masat e rrepta të bllokimit janë mjeti i vetëm efektiv dhe dëshirojnë që ato të zgjaten deri në gjashtë javë.
Itali: Vendi më i prekur në botë ka rritur ndëshkimet për shkeljen e masave të kontrollit dhe izolimit, duke përfshirë gjobat në mijëra euro dhe dënim me burgim pesë-vjeçar për këdo që del pozitiv për koronavirus dhe thyen karantinën. Kryeministri Giuseppe Conte ka mohuar raportimet se bllokimi do të zgjasë deri në korrik, duke thënë se ai do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Kina, nuk raporton raste të reja me koronavirus
Më 25 mars, Kina nuk raportoi asnjë rast të infektimit me koronavirusin e ri në territorin e saj dhe autoritetet kanë hequr pjesërisht masat drastike të karantinës në provincën e Hubei, ku virusi u shfaq për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar.
Deri më tani Kina ka regjistruar gjithsej 81,200 infeksione me virus dhe 3,281 vdekje.
Pekini njoftoi një ditë më parë se do të heqë izolimin e më shumë se 50 milionë njerëzve në Hubei. Kjo do të thotë se ata do të mund të udhëtojnë nëse do të ishin me shëndet të mirë.
Disa aeroporte dhe stacione të trenit janë rihapur. Shkollat janë ende të mbyllura.
Banorët e krahinës, Vuhan, do të duhet të presin deri më 8 prill për të qenë në gjendje të largohen nga qyteti i tyre.
Autoritetet shëndetësore kanë frikë nga një valë e re e përhapjes së virusit e shkaktuar nga rastet e importuara.
Masa të rrepta karantine janë imponuar për të gjithë ata që udhëtojnë nga jashtë, dhe aeroplanët ndërkombëtar që fluturojnë për në Pekin duhet së pari të zbarkojnë në një qytet tjetër kinez në mënyrë që udhëtarët të kryejnë ekzaminimet e nevojshme mjekësore.
Spanja kërkon përgjigje të përbashkët evropiane ndaj koronavirusit
Bashkimi Evropian duhet të sigurojë një përgjigje financiare të përbashkët "gjithëpërfshirëse dhe të fortë" ndaj krizës së koronavirusit për të stabilizuar tregjet dhe për të zvogëluar paqëndrueshmërinë, tha të mërkurën ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzalez.
Spanja është vendi i dytë - pas Italisë që është goditur më së rëndi nga përhapja e koronavirusit.
Mbi 42 mijë persona janë infektuar me këtë virus përderisa 2,991 kanë vdekur.
Të dhënat e fundit lidhur me koronavirusin
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 423,670 njerëz të infektuar, 18,923 të vdekur dhe 108,629 të shëruar.
Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.