Spanja e kalon Kinën me numrin e viktimave nga koronavirusi
Numri i viktimave nga koronavirusi në Spanjë e ka kaluar shifrën zyrtare të viktimave në Kinë - vendin e origjinës së sëmundjes.
Në 24 orët e fundit, Spanja ka regjistruar 738 viktima, që e kanë çuar në 3,434 numrin total të tyre.
Për krahasim, Kina ka 3,285 vdekje të raportuara, ndërsa Italia – vendi më i prekur – ka 6,820.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, do të kërkojë më vonë nga deputetët që të zgjasin gjendjen e jashtëzakonshme në këtë vend edhe për dy javë të tjera.
Ligjvënësit pritet të pajtohen për masat e izolimit, sipas të cilave, njerëzit mund të dalin nga shtëpitë vetëm për të blerë ushqime ose barna, ose për punë.
Në Spanjë, në total, janë 47,610 njerëz të infektuar me koronavirus.
Pjesa e goditur më së keqi është zona përreth kryeqytetit Madrid, e cila ka 14,597 raste të raportuara.
Në Tokio të Japonisë 41 raste të reja me koronavirus
Guvernatorja i Tokios, u kërkoi banorëve të shmangin daljet jo thelbësore deri në 12 prill në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e koronavirusit.
Yuriko Koike tha në një konferencë për shtyp se situata ishte "e rëndë" pasi në Tokio vetëm të mërkurën u raportuan 41 raste të reja.
"Për të shmangur një përhapje të infeksionit, bashkëpunimi i banorëve të Tokios është thelbësor. Unë kërkoj nga ju që të veproni me një ndjenjë krize", tha Koike.
Qyteti është bërë qendra e epidemisë së koronavirusit në Japoni, me 212 raste, më shumë se çdo rajon tjetër.
Ukraina shpall gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin
Qeveria e Ukrainës ka zgjeruar dekretin e saj të gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së koronavirusit duke përfshirë të gjithë teritorin e vendit.
Qeveria miratoi masën në 25 mars në një takim të transmetuar drejtpërdrejt në televizion, duke thënë se masa do të zgjasë për 30 ditë.
Më parë, vetëm kryeqyteti dhe disa rajone të Ukrainës ishin nën gjendje të jashtëzakonshme.
Vendi ka raportuar katër vdekje dhe 113 raste të konfirmuara me koronavirusin e ri.
UNDP siguron artikuj mbrojtës për Policinë e Kosovës
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë i dorëzoi të mërkurën artikuj mbrojtës Policisë së Kosovës (PK).
Ndihma e UNDP-së përfshin: 4000 copë maska mbrojtëse, 4000 copë dorëza gome dhe 500 copë dezinfektues dore me bazë alkooli.
Këta artikuj mbrojtës do të shpërndahen në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Policisë përkatësisht të gjithë oficerëve të policisë në tërë Kosovën.