Regjistrohet viktima e tretë me koronavirus në Maqedoni të V.
Ka arritur në tre numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut.
Të mërkurën, autoritetet atje kanë njoftuar për vdekjen e Alije Mustafës, 66 vjeçe, nga fshati Ballancë i Zhupës.
Ajo ishte pacientja e parë, e cila së bashku me bashkëshortin e saj, ishte prekur me Covid-19 në Itali, ndërsa ishin diagnostikuar pas kthimit nga Italia.
Gjatë 24 orëve të kaluara në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar edhe 29 raste të reja me Covid-19, duke e çuar numrin e të infektuarve në 177.
Hyn në fuqi izolimi mbarëkombëtar i Indisë
India është vendosur në izolim mbarëkombëtar, në përpjekje për të ngadalësuar përhapejn e koronavirusit.
Me këtë veprim, ajo u është bashkuar disa vendeve të botës që janë izoluar.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka marrë vendimin për të izoluar popullin e tij në shtëpi, më 24 mars.
Kufizimi ka hyrë në fuqi sot dhe do të zbatohet për 21 ditë.
India, e cila ka një popullsi prej 1.3 miliard banorësh, ka raportuar për 562 persona të prekur me koronavirus dhe 10 të vdekur.
Masat për kufizim të lëvizjes zbrazin Prishtinën
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes, si masë e re në luftën kundër koronavirusit, rrugët e Prishtinës janë të zbrazëta.
Qytetarët kanë filluar ta zbatojnë këtë, duke mos dalë në qytet gjatë orëve kur është e ndaluar.
KE ndan 38 milionë euro për shëndetësinë në Ballkanin Perëndimor
Komisioni Evropian (KE) ka ndarë 38 milionë euro për të ndihmuar sektorët e shëndetësisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, në kohën e pandemisë së sëmundjes COVID-19.
Lajmi është konfirmuar nga komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se i ka informuar kryeministrat e të gjashtë vendeve të rajonit për këtë vendim.
"Ne ndajmë 38 milionë euro për mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorët e shëndetësisë dhe parashikojmë rishpërndarjen e mbi 373 milionë eurove për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike", ka thënë Varhely në Twitter.