Edhe 80 të vdekur me koronavirus në Holandë
Autoritetet në Holandë thanë se gjatë 24 orëve të fundit në këtë vend janë regjistruar 80 viktima të reja, që lidhen me koronavirusin.
Me shifrën e fundit, numri total i të vdekurve në Holandë arrin në 356.
Holanda, vend me 17 milionë banorë, ka 6,412 raste të të infektuarve me koronavirus.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë se numri i vërtetë i të infektuarve mund të jetë më i lartë, sepse jo secili testohet.
Ndalesa e tubimeve publike në Holandë është zgjatur deri më 1 qershor, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Putin shtyn votimin e ndryshimeve kushtetuese për shkak të koronavirusit
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka shtyrë votimin për ndryshimet kushtetuese, që do t’i mundësonin atij qëndrim më të gjatë në pushtet, për shkak të shqetësimeve për koronavirusin.
Ai tha se votimi, i paraparë të mbahej më 22 prill, do të shtyhet për “një datë të mëvonshme”.
Mandati aktual i Putinit - i dyti i njëpasnjëshëm gjashtëvjeçar - ka qenë e paraparë të përfundojë në vitin 2024.
Kushtetuta e deritashme ia ka ndaluar të garojë për mandatin e tretë radhazi.
Por, me ndryshimet e fundit, Putin mund të garojë edhe për një mandat më 2024, edhe për një tjetër më 2030.
Të mërkurën, Putin po ashtu tha se rusët nuk do të punojnë javën e ardhshme “për të ngadalësuar shpejtësinë” e koronavirusit.
Rusia, aktualisht, ka 658 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa një pacient atje ka humbur jetën.
Përgjigjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në disa pyetje me interes:
“Është jashtëzakonisht e mundur” që Greta Thunberg ka pasur koronavirus
Adoleshentja suedeze, Greta Thunberg, tha se “është jashtëzakonisht e mundur” që ajo ka qenë e infektuar me koronavirus.
Në një postim në Instagram, Thunberg, e cila ka frymëzuar greva kundër ndryshimeve klimatike në gjithë botën, tha se është ndjerë e sëmurë pasi ajo dhe babai i saj janë kthyer nga një udhëtim përreth Evropës.
Ajo tha se ka pasur “dhimbje të fytit dhe kollë” dhe se ka vendosur të vetizolohet.
Tani, ajo tha se është rikuperuar.
Thunberg u bëri thirrje të rinjve që ta marrin seriozisht koronavirusin, duke thënë se veprimet e tyre “mund të jenë dallimi midis jetës dhe vdekjes për shumë të tjerë”.