Shefi i OBSH-së: Koronavirusi është “armiku publik numër një”
Koronavirusi është “armiku publik numër një”, tha sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ai iu bëri thirrje vendeve të izoluara të marrin masa “për të gjetur, izoluar, testuar, trajtuar dhe gjurmuar” raste, ndërsa paralajmëroi se ata që nuk i bëjnë këto gjëra, mund të përballen me “ringjallje” të virusit.
“Masat agresive për të gjetur, izoluar, testuar, trajtuar dhe gjurmuar (raste) nuk janë vetëm mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për të dalë nga kufizimet ekstreme sociale dhe ekonomike - ato janë gjithashtu mënyra më e mirë për t'i parandaluar ato", tha Ghebreyesus.
Koronavirusi, i cili shkakton sëmundjen COVID-19, ka vrarë mbi 20,000 njerëz në gjithë botën.
Shumica e vendeve të prekura kanë ndërmarrë masa të ashpra - përfshirë mbylljen e shkollave dhe kufijve - në përpjekje për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Angel Gurria, ka paralajmëruar se botës do t’i duhen vite për t'u rikuperuar nga pandemia.
Edhe testi i dytë i Merkelit del negativ
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dalë negative në testin për koronavirus, për herë të dytë.
Një zëdhënës i saj tha se Merkel do t'i nënshtrohet edhe një testi tjetër në fillim të javës së ardhshme.
Merkel është vetizoluar dhe ka punuar nga shtëpia qysh të premten e kaluar, kur edhe ka marrë një vaksinë nga një mjek, i cili më vonë është diagnostikuar me koronavirus.
"Kancelarja vazhdon të punojë nga shtëpia", tha zëdhënësi i saj.
Edhe 231 viktima të reja në Francë
Autoritetet në Francë thanë të mërkurën se numri i viktimave nga koronavirusi në këtë vend është rritur për 231, përkatësisht në 1,331.
Numri total i të infektuarve aktualisht qëndron në 25,233.
Ata përfshijnë 2,827 njerëz që janë në gjendje serioze, thanë autoritetet.
Numri i viktimave në Francë tash për tash përfshin vetëm ata që vdesin në spitale.
Një diplomat britanik vdes pas diagnostikimit me koronavirus
Një diplomat britanik ka vdekur në Hungari, pasi është infektuar me koronavirus.
Steven Dick, zëvendësambasador në Budapest, ka qenë 37 vjeç.
Dick, i cili ka punuar disa vite në Kabul dhe Riad, ka marrë postin në Hungari vitin e kaluar.
Nuk është ende e qartë nëse ai ka pasur probleme të mëparshme shëndetësore.
"Steven ka qenë një diplomat i përkushtuar dhe e ka përfaqësuar vendin e tij me aftësi dhe pasion të madh. Ai do t'iu mungojë të gjithëve që e kanë njohur dhe kanë punuar me të", tha sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab.
Të mërkurën, numri i viktimave në botë nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, ka kaluar 20,000.