Autoritetet franceze me dyshime per numrin e saktë të vdekjeve
Franca ka regjistruar 1.331 vdekje nga koronavirusi i ri, por autoritetet kanë frikë se numri i tyre mund të jetë shumë më i lartë.
Zyrtari i lartë shëndetësor në Francë, Jerome Salomon, tha se rastet spitalore "ndoshta paraqesin një pjesë të vogël të vdekshmërisë së përgjithshme".
Raportet e lajmeve sugjerojnë se shtëpitë e pleqve mund të kenë një numër të madh të vdekjeve që nuk përfshihen në shifra.
Rusia pezullon të gjitha fluturimet ndërkombëtare për shkak të koronavirusit
Qeveria ruse ka urdhëruar pezullimin e të gjitha fluturimeve të rregullta brenda dhe jashtë Rusisë, si përpjekje e vendit që të frenojnë përhapjen e pandemisë së koronavirusit.
Qeveria tha më 26 mars se linjat ajrore do të lejohen të fluturojnë drejt vendeve të tjera me qëllim të kthimit të qytetarëve rusë në shtëpi ose nëse ata marrin autorizim të veçantë të qeverisë.
Zyrtarët rusë më 25 mars raportuan gjithsej 658 infeksione të konfirmuara me koronavirusi në vend.
Rusia gjithashtu konfirmoi dy vdekjet e para nga COVID-19, duke përshkruar viktimat si pacientë të moshuar që vuanin nga pneumonia dhe komplikime tjera shëndetësore.
Vendet e G20-ës diskutojnë për masat kundër pandemisë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të jenë në mesin e drejtuesve të ekonomive të mëdha të G20-ës që pritet të marrin pjesë në një samit përmes video-lidhjes të organizuar nga Arabia Saudite.
Biseda mes krerëve të shteteve më të fuqishme të botës, vjen ndërsa ekonomitë botërore përpiqen të frenojnë dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Videokonferenca do të kryesohet nga Mbreti Saudit Salman.
"Ndërsa bota përballet me pandeminë COVID-19 dhe sfidat ndaj sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe ekonomisë globale, ne thërrasim këtë samit të jashtëzakonshëm të G20-ës për të bashkuar përpjekjet drejt një reagimi global", tha mbreti saudit.
Kritikët kanë akuzuar G20 se janë shumë të ngadaltë për t'iu përgjigjur krizës së koronavirusit.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën ka pasur më shumë se 470,000 raste të infeksioneve, me më shumë se 21,000 vdekje.
Drejtuesit e Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore, Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) dhe Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) gjithashtu do të marrin pjesë në videokonferencë.