Shumica e të infektuarve në Kosovë, në gjendje stabile shëndetësore
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 32 pacientë të infektuar me koronavirusin e ri.
Prej tyre, 25 janë në gjendje stabile shëndetësore, ndërkaq 7 pacientë janë me oksigjenoterapi.
Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë ka bërë të ditur se një pacient është në pritje të rezultatit laboratorik për COVID19.
Në Kosovë janë 71 persona të konfirmuar me koronavirus.
Turqia ndalon eksportin e respiratorëve pa leje nga shteti
Turqia, nxori një dekret përmes të cilit u kërkon kompanive që të marrin leje nga shtetit nëse dëshirojnë të eksportojnë respiratorë mjekësorë dhe pajisje tjera.
Qëllimi i kësaj mase është plotësimi i kërkesës në tregun e brendshëm, derisa numri i të infektuarve nga koronavirusi në vend po rritet.
Në Turqi, 59 njerëz vdiqën gjatë dy javëve të fundit dhe 2.433 u infektuan me koronavirusin e ri.
Dekreti thotë se kompanitë do të kenë nevojë për leje të veçantë për të eksportuar respiratorë dhe pajisje tjera mjekësore.
Ankaraja më parë ka njoftuar se do të ndalojë eksportimin e maskave mbrojtëse.
Turqia ka ndërmarrë një numër masash për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, duke përfshirë një shtetrrethim të pjesshëm për qytetarë të moshuar, mbylljen e shkollave, restoraneve dhe bareve, si ka ka ndaluar lutjet masive dhe ndeshjet sportive.
Shqipëria shënon viktimën e gjashtë
Në Shqipëri është shënuar viktima e gjashtë nga koronavirusi. Eugena Tomini, nga Instituti i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se pacientja që ndërroi jetë ishte një 71 vjeçare me historik të sëmundjeve paraprake.
Ajo informoi se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 28 raste të reja me COVID-19 dhe janë kryer 103 testime. Kjo shifër nënkupton se rreth 30% të rasteve të dyshuara kanë rezultuar pozitivë.
“Deri në këto momente janë testuar 1144 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 174 qytetarë”, u shpreh Tomini.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar dhe prej tyre 3 raste jane ne terapi itensive 2 jane te intubuar, ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Zonja Tomini bëri të ditur se harta e të prekurve është zgjeruar.
“Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Tropojë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Lezhë, Elbasan, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit”, tha ajo.
Konfirmohet edhe një i infektuar me koronavirus në Bosnjë dhe Hercegovinë
Në Sarajevë është regjistruar edhe një rast me koronavirusin e ri, tha për Radion Evropa e Lirë, Sebija Izetbegoviq, Drejtore e Qendrës Klinike të Universitetit të Sarajevës (KCUS).
Personi i infektuar erdhi nga Turqia 14 ditë më parë.
Edhe dy testime u kryen gjatë natës, por ato ishin negative.
Numri aktual i të infektuarve në Bosnjë dhe Hercegovinë është: 185.