Kurti: Qeveria në detyrë do të vazhdojë me luftimin e pandemisë
Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas rrëzimin të qeverisë nga mocioni i inicuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kurti me anë të një postimi në Facebook ka thënë se kjo ishte një rënie e domosdoshme, për ngritjen e nevojshme.
Sipas Kurtit, qëllimi i mocionit të mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes.
“Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë”, ka përfunduar Kurti.
Për shkak të pandemisë, në Kosovë pagat e sektorit publik ndahen një javë më herët
Ministria e Financave dhe Transfereve në Kosovë njoftoi se ka bërë ekzekutimin e pagave për shërbyesit e administratës publike për muajin mars.
“Pagat për muajin mars realizohen rreth një javë më herët, duke pasur parasysh situatën aktuale të pandemisë dhe masave që po merr Qeveria dhe Ministria e Financave dhe Transfereve për përballimin sa më të lehtë të saj”, thuhet në njoftim.
Më tutje theksohet se përfituesit duhet të ndjekin edhe udhëzimet shtesë, siç janë:
• Shfrytëzimi i makinave automatike për tërheqje (bankomatet)
• Përdorimi i kartelave bankare pa kosto shtesë (jo tërheqje të parasë së gatshme) dhe
• Shtyrja e tërheqjes së pagave, për aq kohë sa mundeni, për të mos krijuar radhë të panevojshme ku rrezikohet shendeti.
Në kohën ku ka mungesë të preparateve për dezinfektim, kjo është një këshillë si ta përgatisni dezinfektuesin.
Gjatë 24 orëve të fundit 655 të vdekur në Spanjë
Mbi 4 mijë vdekje janë shënuar në Spanjë si pasojë e përhapjes së koronavirusit të ri.
Të dhënat e fundit nga Spanja tregojnë se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 655 vdekje.
Ky numër ishte pak më i ulët se një ditë më herët.
Rastet e përgjithshme të të infektuarve kanë arritur shifrën 56.198.
Madridi mbetet zona më e prekur, me gati një të tretën e rasteve. Por, Katalonja gjithashtu ka shënuar një rritje, duke raportuar 11.592 infeksione të konfirmuara.
Më 25 mars, Spanja zgjati gjendjen e saj të jashtëzakonshme kombëtare deri më 12 prill në përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit.