Kosovë: 86 persona të infektuar me koronavirus
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka thënë të enjten se shtatë persona tjerë kanë rezultuar pozitivë në testimet e bëra për koronavirus.
“Të gjitha rastet janë të njohura, të kontaktuara dhe në vetizolim”, është thënë në njoftim.
Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, aktualisht në Kosovë është raportuar për 86 persona të infektuar me Covid-19, sëmundje që shkakton koronavirusi i ri.
Deri më tani një pacient ka vdekur me koronavirus në këtë shtet.
Putin kërkon heqjen e sanksioneve në Samitin e G20-ës
Presidenti rus, Vladimir Putin i ka propozuar Grupit të 20 vendeve më të industrializuara, përmes një video konference, që të ngrihen sanksionet, ashtu që shtetet të luftojnë më mirë pandeminë me koronavorus, që ka infektuar më shumë se 500,000 persona në gjithë botën, dhe ka lënë të vdekur rreth 23,000 të tjerë.
Putin u ka thënë liderëve të vendeve të këtij grupi më 26 mars që masat kufizuese të vëna në mallrat e disa shteteve, duhet të largohen “për të lehtësuar dërgesat e ilaçeve, ushqimit, pajisjeve të ndryshme dhe teknologjisë”.
Rusia përballet aktualisht me një varg sanksionesh të vëna nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera, për shkak të rolit të saj mbi Ukrainën.
Ky shtet ka dënuar edhe sankisionet amerikane kundër Iranit, prej kur Uashingtoni është larguar më 2018 nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.
“Është në pyetje jeta e njeriut, çështje tërsisht e pastër njerëzore”, ka thënë ai.
Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar ndihmë Iranit për të luftuar virusin, që tashmë ka prekur 29,406 persona në këtë shtet dhe ka lënë 2,234 tjerë të vdekur.
Megjithatë Uashingtoni nuk ka treguar gatishmëri për të hequr sanksionet apo për të ndalur fushatën “me presion maksimal” ndaj Teheranit.
Zyrtarët iranianë kanë refuzuar ofertën humanitare të Uashingtonit duke bërë thirrje për heqje të sanksioneve.
Rusia në anën tjetër deri më tani ka raportuar për 840 persona të infektuar me koronavirus dhe 3 raste të vdekjeve, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
A e njihni dikë që po bën maska këto ditë në Kosovë?
Gjermania pranon 47 pacientë me koronavirus nga Italia
Spitalet gjermane, që kanë hapësira të lira, do të pranojnë të paktën 47 pacientë nga Italia, që janë të prekur me koronavirus, në shenjë solidariteti me këtë shtet evropian, ka thënë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas.
“Ne qëndrojmë afër miqve tanë italianë. Ne mund ta menaxhojmë këtë situatë vetëm bashkë”, ka thënë Maas në një deklaratë të shkurtër.
Italia aktualisht është vendi i prekur më së keqi në botë nga sëmundja Covid-19 që shkakton koronavirusi.
Në prag të shtimit të numrit të të prekurve në Gjermani nga ky virus, autoritetet e këtij shteti megjithatë janë përgatitur për t’i pritur disa pacientë italianë për trajtim.
Instituti për sëmundje infektuese, Robert Koch ka raportuar të mërkurën për 36,508 persona të infektuar me këtë sëmundje në Gjermani, si dhe për 198 vdekje.
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn ka thënë të enjten se ky shtet ende është “në qetësi para stuhisë”, duke shtuar se autoritetet janë duke shfrytëzuar kohën që u duhet për t’u përgatitur me një valë të rasteve të reja, në javët në vijim.
Në gjithë botën deri më tani është raportuar për mbi gjysmë milioni pacientë të prekur me koronavirus.