Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:37 27.3.2020

Regjistrohen vdekjet e para nga koronavirusi në Afrikën e Jugut

Afrika Jugore ka raportuar vdekjet e para të lidhura me koronavirus, teksa numri i rasteve të prekura me këtë sëmundje ka kaluar shifrën 1,000.

“Këtë mëngjes, ne banorët e Afrikës Jugore jemi zgjuar me lajmin e trishtë se kemi vdekjet e para si rezultat i COVID-19”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë të premten.

Të dyja vdekjet është thënë të kenë ndodhur në provincën jugore, Kepi Perëndimor.

Forcat e sigurisë kanë nisur të zbatojnë masat e izolimit, të cilat do të aplikohen për tri javë, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit.

Aktualisht janë ndalur të gjitha lëvizjet jo të domosdoshme, ndërkohë që policia është duke u kujdesuar për zbatimin e masave.

Autoritetet kanë paralajmëruar se secili që shkel rregullat e kufizimit, mund të përballet me burgim gjashtëmujor, apo gjoba të ashpra.

“Nëse njerëzit nuk janë duke vepruar në përputhje me rregullat, ushtria mund të detyrohet të marrë masa të jashtëzakonshme”,ka thënë ministri i Mbrojtjes, Nosiviwe Mapisa-Nqakula.

 

10:03 27.3.2020

Regjistrohet e infektuara e parë me koronavirus nga stafi shëndetësor në Kosovë

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se një ditë më parë ka regjistruar personin e parë të infektuar nga stafi shëndetësor me koronavirus.

“Rasti i koleges tonë nuk do të na dekurajojë dhe demotivojë që së bashku me kolegët e tjerë të ofrojmë ndihmën mjekësore për pacientët tonë. Këtë do ta bëjmë në çfarëdo kushtesh dhe rrethanash”, është thënë në njoftimin e Klinikës Infektive.

Aktualisht në këtë Klinikë është thënë se janë duke u trajtuar 34 pacientë.

Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, aktualisht në Kosovë është raportuar për 86 persona të infektuar me Covid-19, sëmundje që shkakton koronavirusi i ri.

Deri më tani një pacient ka vdekur me koronavirus në këtë shtet.

 

09:24 27.3.2020

Britania “nuk po shkatërron ekonominë” teksa përballet me koronavirus

Qeveria britanike ka thënë se nuk është duke shkatërruar ekonominë me skemat e saj disa-miliardëshe, me qëllim të ofrimit të ndihmës për biznese dhe punëtorë, teksa si kompanive, ashtu edhe qytetarëve u duhet mbështetje për të tejkaluar krizën me koronavirus, ka thënë ministri për biznes në këtë shtet, Alok Sharma.

“Nuk mendoj se jemi duke shkatërruar ekonominë”, është cituar të ketë thënë ai për transmetuesin Sky News.

“Shpresoj që rënia, nëse mund t’i them ashtu, dhe ndikimi në ekonomi, të jenë afatshkurtëra”.

“Kjo është një çështje globale që po prek shtetet në gjithë botën dhe ne jemi duke ofruar mbështetje, sikur edhe vendet tjera për bizneset dhe qytetarët e tyre”, ka thënë mes tjerash ai.

Britania e Madhe deri më tani ka raportuar për 11,813 persona të infektuar me koronavirus dhe 580 të vdekur si pasojë e kësaj sëmundjeje.

Pamje nga Londra.
Pamje nga Londra.

 

09:02 27.3.2020

India ul normat e interesit për ta zbehur dëmin nga koronavirusi

India është bërë shteti i fundit që ka ulur normat e interesit për të ndihmuar në zbehjen e dëmit të shkaktuar në ekonominë indiane nga pandemia me koronavirus.

Përmes një vendimi emergjent, Banka e Rezervave në Indi ka ulur normat e interesit për 0.75 për qind, apo në 4.40 për qind, çfarë ka qenë një linjë me pritshmëritë.

Ky njoftim vjen pas marrjes së hapave të ngjashëm nga bankat qendrore në gjithë botën, përfshirë Rezervat Federale në Shtetet e Bashkuara dhe Bankën e Anglisë.

Të enjten, Qeveria indiane ka njoftuar për planin stimulues në vlerë të 22.6 miliardë dollarëve me qëllim të sigurimit të transfeve të parave të gatshme si dhe siguri në fushën e ushqimit.

Pamje nga mbajtja e distancës në Indi.
Pamje nga mbajtja e distancës në Indi.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG