Kryeministri britanik ka koronavirus
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.
Zëdhënësi i tij ka thënë se simptomat e tij janë të lehta dhe se ai do vazhdojë të udhëheqë përgjigjjen e qeverisë ndaj virusit, ndonëse do të vetizolohet.
“Në 24 orët e fundit unë kam pasur simptoma të lehta dhe dola pozitiv në testin për koronavirus”, ka thënë Johnson.
“Unë jam vetizoluar mirëpo do të vazhdoj të udhëheqjen e veprimeve qeveritare ndaj virusit përmes video-konferencës”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Britania e Madhe deri më tani ka raportuar për 11,813 persona të infektuar me koronavirus dhe 580 të vdekur si pasojë e kësaj sëmundjeje.
Hungaria vendos kufizime shtesë në lëvizje
Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka thënë se nga dita e shtunë do të vendosen kufizime shtesë në lëvizje për banorët e këtij shteti.
Orban ka thënë për radion shtetërore se deri më 11 prill do të lejohet vetëm shkuarja në punë, blerja e ushqimit dhe ilaçeve apo dërgimi i fëmijëve në qendra për kujdes.
Dyqanet ushqimore dhe barnatoret do të rezervohen nga ora 9:00 e mëngjesit dhe në orën 12:00 për personat mbi moshën 65-vjeçare.
Hungaria deri më tani ka raportuar për 300 raste me koronavirus, derisa 10 persona kanë vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19 që shkakton ky virus.
Turkish Airlines ndal fluturimet drejt Nju Jorkut
Kompania ajrore, Turkish Airlines ka thënë se do të pezullojë përkohësisht fluturimet drejt Nju Jorkut, njëherësh zonën e prekur më së keqi nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara.
Bilal Eksi, shef kombëtar i kësaj kompanie, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter se fluturimet drejt Nju Jorkut do të pezullohen duke nisur nga mesnata deri më 17 prill.
Kjo kompani ajrore ka ndalur shumicën e fluturimeve ndërkombëtare në kohën e pandemisë globale, ndërkohë që udhëtimet drejt Nju Jorkut kanë qenë ndër fluturimet e pakta që ka realizuar.
Aktualisht, kjo kompani ofron fluturime drejt Çikagos, Uashingtonit, Hong Kongut, Moskës dhe Etiopisë.
Qeveria e shkarkuar mbetet në detyrë për COVID-19
Fakti që Qeveria e Kosovës, që nga 26 marsi është në detyrë, pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj saj nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nuk do të ndikojë negativisht në angazhimin në përballjen me virusin COVID-19, që njihet si koronavirusi i ri, thonë zyrtarët e qeverisë në detyrë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës në detyrë, Përparim Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë që vendimet e deritashme të qeverisë për luftimin e përhapjes së mëtutjeshme të pandemisë së koronavirusit, nuk kanë pasur prapa motive politike. Si të tilla, sipas tij, ato vendime nuk duhet dhe nuk do të ndikohen nga zhvillimet politike dhe ato vazhdojnë të jenë në fuqi.
Materialin e plotë e gjeni këtu