Rreth 7,000 teste për koronavirus arrijnë në Kosovë
Rreth 7 mijë teste të reja, që shërbejnë për të testuar pacientët që dyshohen se janë infektuar me koronavirus, kanë arritur në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur për Radion Evropa e Lirë nga Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Materialet ose testet janë në Kosovë dhe ato mund të shfrytëzohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, testet janë sjellë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Anglia, përmes një kompanie vendore.
Në Kosovë janë të infektuar 86 persona me koronavirus, ndërsa një pacient ka humbur jetën.
Qeveria, tani në detyrë e Kosovës, ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.
Informacioni për koronavirusin mposht panikun
Doktor Ilir Alimehmeti, epidemiolog klinik, thotë se sëmundja COVID-19 bën pjesë akoma në mesin e problematikave të moderuara.
Në një intervistë për magazinën Expose të Radios Evropa e Lirë, Alimehmeti, po ashtu ligjërues në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, shpjegon se kush preket më së shumti nga sëmundja, sa është e cenueshme popullsia e Ballkanit dhe kur mund të pritet ndalja e hovit të saj.
Gjokoviq i dhuron Serbisë një milion euro
Novak Gjokoviq, tenisti numër një në botë, do t’i dhurojë një milion euro vendit të tij, Serbisë, për të blerë respiratorë dhe pajisje të tjera mjekësore.
Serbia, ashtu si edhe vendet e tjera të botës, po përballet me pandeminë e një koronavirusi që shkakton sëmundjen COVID-19.
Gjokoviq tha se do ta ofrojë mbështetjen financiare nga fondacioni që udhëheq ai dhe gruaja e tij, Jelena.
“Kemi biseduar me autoritetet dhe zyrtarët shëndetësorë në Serbi, si dhe me shumë njerëz që duan të na ndihmojnë me informacione të sakta”, u tha Gjokoviq gazetarëve përmes një video-lidhjeje.
Serbia ka 457 persona të infektuar me koronavirus. Të premten është shënuar viktima e tetë.
Në Spanjë rritet numri i viktimave, por stabilizohet i të infektuarve
Në Spanjë është rritur numri i viktimave nga koronavirusi, por norma e infektimeve të reja është duke u stabiluzuar, thanë autoritetet.
Rastet e konfirmuara me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, janë rritur në 64,059, apo për 14 për qind krahasuar me të enjten kur janë rritur për 18 për qind, apo me të mërkurën kur janë rritur për 20 për qind.
Në 24 orët e fundit, 769 njerëz kanë vdekur, duke e çuar në 4,858 numrin total të vitimave në Spanjë.
Spanja, vendi i dytë i goditur më së keqi nga koronavirusi në Evropë – pas Italisë – e ka zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme deri më 12 prill, duke lënë në fuqi kufizimin e lëvizjes së njerëzve dhe mbylljen e shumicës së dyqaneve dhe bizneseve.
Shefi i emergjencave shëndetësore në Spanjë, Fernando Simon, tha se masat e kuizimit kanë treguar se kanë efekt.
Ushtria spanjolle ka pastruar spitalet dhe ambientet tjera, si dhe rreth 900 shtëpi pleqsh, ku raportohet se janë regjistruar së paku 1,517 vdekje.