Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
14:45 27.3.2020

Edhe sekretari britanik i Shëndetësisë i prekur nga koronavirusi

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka dalë pozitiv në testet për koronavirus.

BBC raporton se ai është vetizoluar në shtëpi dhe se simptomat e tij janë të lehta.

Pak orë më herët është bërë e ditur se edhe kryeministri britanik, David Cameron, është infektuar e koronavirus.

Në një video të postuar në Tëitter, Johnson ka thënë po ashtu se ka simpotoma të lehta dhe se planifikon të vazhdojë me udhëheqjen e qeverisë.

Më 26 mars, autoritetet shëndetësore në Britani kanë raportuar për 40 vikima të reja nga koronavirusi, të cilat e kanë çuar në 144 numrin total të tyre.

Numri total i të infektuarve të konfirmuar në Britani ka qenë 3,269 më 26 mars.

14:27 27.3.2020

Italia ende nuk është përballur me "pikun e koronavirusit"

Numri i të infektuarve me koronavirus në Itali ende nuk e ka arritur pikun, ka thënë Instituti Kombëtar për Shëndetësi në këtë shtet, një ditë pasi më shumë se 6,150 persona kanë dalë pozitivë në testime dhe 712 kanë vdekur brenda 24 orëve.

“Ne ende nuk kemi arritur pikun dhe ende nuk e kemi kaluar atë”, ka thënë shefi i Institutit të Lartë të Shëndetësi, Silvio Brusaferro.

Megjithatë, Brusaferro ka thënë se ka shenja “të uljes” së numrit të të prekurve, duke sugjeruar se piku nuk mund të jetë larg, pas të cilit shifrat sërish do të fillojnë të ulen.

“Kur të fillojë ulja, sa e madhe do të jetë, varet nga sjellja jonë”, ka thënë Brusaferro, duke iu referuar italianëve dhe sjelljes së tyre gjatë ditëve të izolimit.

Sipas të dhënave të Universitetit, Johns Hopkins, aktualisht në Itali është raportuar për 80,589 persona të infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, derisa 8,215 të tjerë kanë vdekur.

 

13:14 27.3.2020

Qeverisë në detyrë i kërkohet ndarja e mbi 300 milionë eurove për sektorin privat

Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, i kanë kërkuar Qeverisë në detyrë në Kosovë, që të prezantojë pakon e masave emergjente që synojnë të ofrojnë mbështetje ndaj ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia me koronavirus.

Sipas këtyre institucioneve, autoritetet përgjegjëse duhet të ndajnë së paku 300 milionë euro për këtë fazë, me qëllim të mbështetjes së sektorit privat.

“Duke pasur parasysh impaktin tejet negativ që pandemia COVID-19 ka pasur në tërë sistemin ekonomik dhe vonesën e institucioneve për t’u dalë në ndihmë ndërmarrjeve të prekura, një numër i madh i punonjësve të vendit do të mbeten pa të ardhura që nga muaji mars. Një situatë e tillë do të ndikonte në thellimin e mëtejmë të gjendjes, tashmë të vështirë sociale në vend”, është thënë mes tjerash në komunikatë.

Aktualisht në Kosovë është raportuar për 86 persona të infektuar me Covid-19, sëmundje që shkakton koronavirusi i ri.

Deri më tani një pacient ka vdekur me koronavirus në këtë shtet.

Punëtore të një fabrike në Kosovë, foto nga arkivi.
Punëtore të një fabrike në Kosovë, foto nga arkivi.

 

12:51 27.3.2020

Dy viktima të reja nga COVID-19 në Shqipëri

Gjatë orëve të mbrëmjes të së enjtes dhe në mëngjesin e së premtes kanë ndërruar jetë dy pacientë, një 85-vjeçare nga Tirana dhe një 66-vjeçar nga Fieri, të konfirmuar me COVID-19 në Spitalin Infektiv të Tiranës.

Dy viktimat e radhës nga virusi vdekjeprurës e çojnë në 8 numrin e personave që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, duke informuar mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri, bëri me dije se në 24 orët e fundit janë testuar 102 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 12 raste të reja me COVID-19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive në Shqipëri:

- Tiranë 107 raste

- Durrës 11 raste

- Lushnje 4 raste

- Elbasan 5 raste

- Rrogozhinë 2 raste

- Fier 20 raste

- Kavajë 4 raste

- Korçë 12 raste

- Vlorë 5 raste

- Shkodër 4 raste

- Lezhë 4 raste

- Berat 1 rast

- Has 2 raste

- Krujë 1 rast

-Tropojë 2 raste

- Pukë 2 raste

Materialin e plotë​ e gjeni këtu

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG