Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
21:45 27.3.2020

Kongresi miraton paketë masive të ndihmës për të luftuar koronavirusin

Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi të premten një paketë financiare, në vlerë prej dy trilionë dollarësh, për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi paketën dy ditë pas Senatit.

"Kombi ynë përballet me një emergjencë ekonomike dhe shëndetësore me përmasa historike, për shkak të pandemisë se koronavirusit - pandemisë më të keqe në mbi 100 vjet", tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do ta nënshkruajë paketën e ndihmës.

Të mërkurën, numri i amerikanëve që janë lajmëruar si të papunë, është rritur në 3.3 milionë.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar raste me koronavirus më shumë se çdo vend tjetër: mbi 94,200.

Mbi 1,430 pacientë kanë vdekur atje.

21:05 27.3.2020

Edhe dy të infektuar me koronavirus në Kosovë

Në Kosovë janë regjistruar të premten edhe dy raste të të infektuarve me koronavirus, të cilat e çojnë në 88 numrin total të të infektuarve.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) tha se nga 108 teste që janë kryer, dy kanë dalë pozitivë.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, një me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Më 22 mars, Kosova ka regjistruar edhe viktimën e parë nga koronavirusi.

Autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

20:44 27.3.2020

Me muzikë kundër koronavirusit

Anëtarët e Orkestrës Filarmonike të Roterdamit kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë për të interpretuar veprën e njohur të Bethovenit “Ode to Joy”.

Ndiqeni këtë interpretim të jashtëzakonshëm derisa secili artist që luan në instrumente, ndodhet i izoluar në shtëpi.

Me muzikë kundër koronavirusit
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:27 0:00

 

19:55 27.3.2020

Trump i uron Johnsonit shërim të shpejtë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i telefonoi kryeministrit të Britanisë, Boris Johnson, pasi ky i fundit njoftoi të premten se është infektuar me koronavirus.

Shtëpia e Bardhë tha se Trump e ka falënderuar Johnsonin për "miqësinë e ngushtë" dhe se i ka uruar atij "shërim të shpejtë".

Qeveria britanike tha se dy liderët janë pajtuar që të punojnë së bashku për të mposhtur pandeminë e koronavirusit.

Johnson, përmes një videoje në Twitter, njoftoi se ka koronavirus, por tha se simptomat e tij janë të lehta dhe se do të vazhdojë të punojë prej shtëpisë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG