Tre serbë dënohen me burgim për shkelje të vetizolimit
Tre qytetarë në Serbi janë dënuar me burgim për shkelje të urdhrit për vetizolim, i cili synon të ngadalësojë përhapjen e koronavirusit.
Dënimet nga dy deri në tre vjet burgim u shqiptuan gjatë video-seancave gjyqësore.
Seancat u zhvilluan në distancë për të mbrojtur punonjësit dhe të pandehurit nga ekspozimi i mundshëm ndaj koronavirusit.
Njëri nga të pandehurit u dënua me maksimumin prej tre vjetësh burgim në qytetin Dimitrovgrad, ndërsa dy të tjerë me nga dy vjet, përkatësisht dy vjet e gjysmë, në qytetin e Pozharevcit.
"Duke shkelur vetizolimin, ata kanë krijuar rrezik për shëndetin e njeriut”, tha Dragana Jevremoviq-Todoroviq, gjykatëse dhe zëdhënëse e gjykatës në Pozharevc.
Serbia ka regjistruar 528 raste të të infektuarve me koronavirus dhe tetë vdekje.
Masat kufizuese, të ndërmarra nga autoritetet atje, përfshijnë ndalimin e lëvizjes jashtë të njerëzve mbi 65 vjeç dhe orën policore gjatë natës.
A po paraqet tarifa pengesë për importin e pajisjeve kundër COVID-19?
Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur thirrjen e tyre për institucionet e Kosovës që të heqin plotësisht tarifën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Zyrtarë nga Departamenti i Shtetit kanë thënë po ashtu se mosheqja e tarifës doganore është duke e dëmtuar popullin e Kosovës dhe duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër pandemisë së koronavirusit të ri.
Ata kanë theksuar se në këtë drejtim ka pengesa, pasi që po krijohen vonesa për hyrje në Kosovë të pajisjeve të nevojshme.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Shkup: 219 persona me koronavirus, 7 në gjendje të rëndë
Numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 219, prej të cilëve 7 janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Të premten janë regjistruar 18 raste të reja, shumë prej të cilave në Shkup.
Në mesin e numrit të përgjithshëm të të infektuarve janë edhe 17 punonjës shëndetësorë, por kjo, sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, nuk do të reflektohet në sistemin shëndetësor.
“Për momentin kemi rritje lineare të rasteve, përafërsisht kemi numër të njëjtë çdo ditë dhe jo rritje rapide. Por, ne jemi të gatshëm të trajtojmë pacientë edhe në raste të tilla”, deklaroi Filipçe.
Ai njoftoi se janë siguruar 55 aparate për frymëmarrje artificiale, ndërsa gjatë javës që vjen si donacion pritet të arrijnë edhe 500 mijë maska dhe 20 mijë teste për sëmundjen që e shakton koronavirusi, Covid-19.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë, ka njoftuar se po punon për ngritjen e një spitali mobil, me rreth 180 shtretër, në afërsi të Klinikës Infektive në Shkup.
Në 24 orët e fundit, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, në karantinë kanë hyrë edhe 42 persona, ndërsa numri i përgjithshëm i personave në vetizolim është rreth 10 mijë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar për shkeljen e orës policore nga më shumë se 100 persona, ndaj të cilëve, janë ndërmarrë masa, përshirë edhe ngritjen e padive penale.
Gjatë fundjavës, në Maqedoninë e Veriut, ora policore do të hyjë në fuqi nga ora 16:00 deri në orën 05:00.
(Keq)përdorimi i teknologjisë në gjurmim të koronavirusit
Vende të ndryshme të botës janë duke përdorur teknologjitë e fundit që përmes kamerave të sigurisë, të gjurmojnë njerëzit që do të duhej të ishin në karantinë si pasojë e koronavirusit.
Përveç kamerave të sigurisë, edhe telefonat mobilë janë duke u gjurmuar për të mbajtur situatën nën kontroll.
Përdorimi i të dhënave personale ka nxitur dyshime të shumta nëpër botë për shkeljen e privatësisë dhe mundësinë e keqpërdorimit të të dhënave nga qeveritë.