Italia shënon numër rekord viktimash nga koronavirusi
Italia bëri të ditur të premten se 969 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në 24 orët e fundit, duke e çuar në 9,134 numrin total të viktimave në këtë vend.
Autoritetet shëndetësore njoftuan edhe për 4,401 raste të reja të të infektuarve.
Shifra e çon në 66,414 numrin e të infektuarve të konfirmuar.
Ky besohet të jetë numri më i madh i viktimave në një ditë që ka përjetuar ndonjë vend i prekur nga pandemia.
Shefja e FMN-së: Është e qartë se kemi hyrë në recesion
Pandemia e koronavirusit e ka çuar në rënie ekonominë globale, tha të premten shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.
“Është e qartë se kemi hyrë në recesion, që do të jetë më i keq se në vitin 2009, pas krizës globale financiare”, tha Georgiva në një konferencë online për media.
Me "ndalimin e papritur ekonomik" në të gjithë botën, Georgieva tha se FMN-ja vlerëson se "nevojat e përgjithshme financiare të tregjeve në zhvillim do të jenë 2.5 trilionë dollarë."
Mbi 80 vende të botës, shumica me të ardhura të ulëta, tashmë kanë kërkuar ndihmë urgjente nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, tha ajo.
"Ne e dimë që rezervat e tyre dhe burimet e tyre të brendshme nuk janë të mjaftueshme", tha Georgieva, duke shtuar se FMN-ja synon ta përshpejtojë reagimin e saj.
Shumë kompani në botë kanë ndaluar punën, pasi qeveritë e tyre kanë urdhëruar miliona njerëz të izolohen, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Georgieva mirëpriti një paketë të ndihmës, në vlerë prej 2.2 trilionë dollarësh, të miratuar nga Senati i Shteteve të Bashkuara.
"Është absolutisht e domosdoshme që të mbrohet ekonomia më e madhe në botë kundër një rënieje të papritur të aktiviteteve ekonomike", tha Georgieva.
Europol: Si përfitojnë kriminelët nga pandemia COVID-19?
Qeveritë në gjithë Evropën janë duke rritur përpjekjet për të luftuar përhapjen globale të koronavirusit, në këtë krizë të pashembullt, duke marrë masa të ndryshme për të mbështetur sistemin publik të shëndetësisë, për të ruajtur ekonominë, sigurinë dhe rendin publik.
Në bazë të informacioneve të ofruara nga shtetet anëtare të BE-së dhe ekspertiza e brendshme, Europoli ka publikuar një raport që analizon zhvillimet aktuale që ndërlidhen me katër fusha kryesore të krimit.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
SHBA i ndihmon vendet e rrezikuara në luftën kundër koronavirusit
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara kanë ndarë afro 274 milionë dollarë fonde humanitare për luftën kundër koronavirusit.
“Shuma prej 274 milionë dollarësh do të ofrojë burime për 64 vendet më të rrezikuara në botë, për të luftuar më mirë pandeminë dhe për t’i mundësuar Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë që t’i ndihmojë disa nga popullatat më të rrezikuara në botë”, tha Pompeo.
“Ky zotim i ri përfshin afro 100 milionë dollarë ndihmë shëndetësore emergjente. Gjithashtu përfshin 110 milionë dollarë ndihmë të re ndërkombëtare për katastrofën, e cila së bashku me fondet tona shëndetësore të urgjencës, do t’iu sigurohet 64 vendeve më të rrezikuara. Me rëndësi është që përgjigjja jonë shton edhe 64 milionë dollarë ndihmë humanitare për Komisionarin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, i cili do t’i ndihmojë disa nga popullatat më të cenueshme në botë”, tha Pompeo.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, përmes një postimi në Twitter, tha se ky është një lajm i mirë për Kosovën në luftën e saj kundër koronavirusit dhe se më shumë detaje do të pasojnë.
Në Kosovë janë të infektuar 86 persona me koronavirus, ndërsa një pacient ka humbur jetën.
Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, kanë numrin më të madh të të infektuarve në botë, me mbi 86,000 raste.