Shqipëria i del në ndihmë Italisë, i dërgon mjekë e infermierë
Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim për dhënien e ndihmës ndaj Italisë përmes personelit shëndetësor, mjekë dhe infermierë, për të përballuar e luftuar pandeminë e koronavirusit.
Përmes këtij vendimi, është miratuar një fond prej 11 milionë lekësh për të paguar 30 mjekët dhe infermierët që do të shkojnë të punojnë në Itali për të luftuar sëmundjen COVID-19.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkoi të shtunën në Aeroportin ndërkombëtar të Shqipërisë “Nëna Terezë” për t'i përcjellë ata drejt Italisë.
Ai tha se mund të jetë e pabesueshme për dikë që Shqipëria, e cila vetë po përballet me krizë, po çon ndihmë të tillë me mjekët, që eventualisht do t’i duhen vendit.
Megjithatë, ai shtoi se vendi nuk mund t’i mbajë në pritje stafin mjekësor pa e ditur se kur i duhet, në kohën kur Italia ka më shumë nevojë.
“Sot ne nuk mund t’i mbajmë forcat rezervë në pritje që të hyjnë në luftë këtu, teksa në Itali ku po kurohen në spitale lufte edhe shqiptarë të plagosur nga armiku kanë një nevojë të jashtëzakonshme për ndihmë”, tha kryeministri shqiptar.
Ai rikujtoi se Italia ishte një nga shtetet më bujare në dhënien e ndihmave për rimëkëmbjen dhe rindërtimit të Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Kjo është një luftë ku askush nuk fiton dot i vetëm, dhe ju të dashur anëtarë të këtij misioni kurajoz për jetën, po niseni për një luftë që është edhe e jona”, tha Rama në prani të stafit shëndetësor.
Sipas vendimit, mjekët që dërgohen në Itali do të marrin një rrogë prej 3,000 eurosh ndërsa infermierët një rrogë prej 2,500 eurosh. Përzgjedhja e tyre është bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Konektikat ”mund të futen në karantinë”
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të shtunën se është duke konsideruar zbatimin e masës së karantinës në Nju Jork, Nju Xhersi dhe Kontektikat.
Trump ka thënë se ai është duke shqyrtuar marrjen e kësaj mase, ndonëse ka vazhduar thirrjet për rihapje të shpejtë të ekonomisë.
Trump ka thënë se nuk është i sigurt nëse bizneset në Shtetet e Bashkuara do të rihapen deri më 12 prill, pas mbylljes së tyre në shumicën e shteteve.
I pyetur për mendimin e tij nëse Shtetet e Bashkuara do t’i kthehen normalitetit për Festën e Pashkëve, Trump ka thënë të shtunën në Shtëpinë e Bardhë:
“Do të shohim çfarë do të ndodhë”.
Murtezaj: Masat anti-COVID-19 me efekte ekonomike, por në rend të parë është shëndeti
Radio Evropa e Lirë: Për shkak të kufizimeve dhe masave kundër përhapjes së koronavirusit, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa veprime që afektojnë bizneset. A ka kapacitete ATK-ja që t’i zbatojë ato në këtë periudhë?
Ilir Murtezaj: Pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli shpërthimin e koronavirusit pandemi dhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpalljen e gjendjes emergjente për shëndetin publik, ne si Administratë Tatimore e Kosovës (ATK), jemi obliguar që të monitorojmë një nga masat e parapara, që ka të bëjë me çështjen e ngritjes së çmimeve në ditët e para pas shpalljes së pandemisë.
Realisht, bazuar në vendim të Qeverisë se Republikës se Kosovës është rekomanduar që një pjesë e stafit të cilët kanë njërin prind në punë të lirohen, për shkak të kujdesit të fëmijëve të tyre. Kemi punuar me kapacitete të reduktuara, por kjo për çdo ditë e më tepër është shkuar në drejtim të reduktimit të kapaciteteve në kuadër të ATK-së.
Intervistën e plotë e gjeni këtu
Kosovarët në të 20-at më të prekurit nga koronavirusi
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se të rinjtë e moshave nga 20 deri në 29 vjeç janë prekur më së shumti nga koronavirusi i ri në Kosovë.
Nga 88 personat e infektuar me këtë sëmundje, 20 prej tyre i përkasin kësaj moshe, ndërkohë që vetëm 9 persona të prekur janë të moshës mbi 70-vjeçare.
Sa i përket gjinisë, 53 e meshkujve janë prekur nga sëmundja Covid-19 që shkakton koronavirusi, në krahasim gratë që përbëjnë 47 për qind të numrit të të infektuarve.
Malisheva është qyteti i goditur më së keqi nga kjo sëmundje në Kosovë, me 32 raste të regjistruara, i ndjekur nga Gjilani me 15 raste dhe Prishtina më 11 raste tjera.
Sipas të dhënave të publikuara, më 23 mars është raportuar për numrin më të madh të të prekurve me këtë sëmundje, 23 brenda 24 orëve.
Përveç 88 personave të infektuar në Kosovë deri më tani ka vdekur edhe 1 pacient nga kjo sëmundje.
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri, Qeveria në largim e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.