Spanja ashpërson kufizimin në lëvizje
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka njoftuar të shtunën se të gjithë punëtorët që nuk kanë aktivitetete jo të domosdoshme duhet të qëndrojnë në shtëpi për dy javë.
Kjo është masa e fundit qeveritare me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.
Ai ka thënë se punëtorët do të marrin pagat e zakonshme, mirëpo do të kompensojnë orët e humbura më vonë.
Kjo masë do të vlejë nga 30 marsi deri më 9 prill.
Deri më tani, Spanja ka raportuar për 72,248 persona të infektuar dhe 5,812 të vdekur nga sëmundja Covid-19 që shkakton koronavirusi.
Izolohet zëvendësministri në detyrë i shëndetësisë, Streten Trajkoviq
Zëvendësministri në detyrë i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës se Kosovës, Streten Trajkoviq është dërguar në izolim 14 ditorë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti zëdhënës në këtë ministri.
Trajkoviq, është dërguar në izolim pas hyrjes nga shteti i Serbisë në territorin e Kosovës.
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri, Qeveria e Kosovës ditë më parë ka urdhëruar ndërprerjen e trafikut ndërurban dhe atij ndërkombëtar, mbylljen e kufijve tokësorë për pasagjerët që hyjnë në Kosovë, përveç për qytetarët e vet, por të cilët monitorohen dhe dërgohen për izolim për 14 ditë..
Trajkoviq ishte emëruar në këtë pozitë nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, më 19 mars.
Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Itali rritet për 889
Numri i personave të vdekur nga koronavirusi në Itali është rritur për 889, ka thënë Agjencia për Mbrojtje Civile të shtunën, duke e dërguar në 10,023 numrin e fataliteteve në këtë shtet.
Italia, vendi i prekur më së keqi nga kjo sëmundje, ka regjistruar të premten 919 vdekje nga Covid-19, njëherësh shifrën më të lartë në këtë shtet dhe në botë brenda 24 orëve.
Numri total i rasteve të konfirmuara në Itali ka arritur të shtunën në 92,472 persona.
Aktualisht vetëm Shtetet e Bashkuara kanë numër më të madh të të infektuarve me këtë sëmundje, 112,468.
Edhe dy të infektuar me koronavirues në Kosovë
Në Kosovë janë regjistruar të shtunën edhe dy raste të të infektuarve me koronavirus, të cilat e çojnë në 90 numrin total të të infektuarve.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) tha se nga 38 testimet që janë kryer, dy kanë dalë pozitivë.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, një me vendbanim në Podujevë dhe tjetri në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Më 22 mars, Kosova ka regjistruar edhe viktimën e parë nga koronavirusi.
Autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.