Pse Suedia po i reziston trendit evropian kundër koronavirusit?
Ndërkohë që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratojnë masa të ashpra të karantinës për të luftuar pandeminë me koronavirus, duke përfshirë edhe mbylljen e kufijve kombëtarë, mbylljen e shumë bizneseve dhe prezantimin e masave strikte për distancim shoqëror, është një vend në BE që është duke vepruar ndryshe deri më tani, Suedia.
Kufijtë e këtij shteti nuk janë mbyllur dhe grumbullimet e më shumë se 50 personave ende janë të lejuara. Deri më 27 mars, ai numër ka qenë deri në 500. Në qyteza dhe qytete tjera, njerëzit ende janë duke mbushur rrugët, sheshet dhe transportin publik.
Madje nëpër rrugë është e vështirë të shihni dikë duke mbajtur maskë mbrojtëse. Ditëve të fundit, mijëra persona janë nisur nëpër qendra të skijimit në veri, ku ka pak objekte spitalore. Rekomandimi më i ashpër nga qeveria deri më tani ndaj qytetarëve ka qenë që këta të fundit të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme dhe u kanë nisur këshillë shoqërore atyre që janë mbi moshën 70-vjeçare, që të qëndrojnë në shtëpi.
Artikullin e plotë e gjeni këtu
Mund të jetë caktuar data e re e mbajtjes së Lojërave Olimpike
Mediat japoneze janë duke raportuar se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe organizatorët japonezë, janë duke planifikuar caktimin e datës së re për mbajtje të Lojërave Olimpike Verore, pothuajse një vit pas datës fillestare të nisjes së tyre.
Në raportimet e 29 marsit është thënë se Lojërat e Tokios, që janë shtyrë javën e kaluar për shkak të pandemisë me koronavirus, ka shumë mundësi që do ta kenë ceremoninë hapëse më 23 korrik të vitit 2021, ndërsa ceremoninë mbyllëse më 8 gusht.
Sipas planit fillestar, garat më 2020 do të duhej të nisnin më 24 korrik dhe të përfundonin më 9 gusht.
Kjo është shtyrja e parë në historinë 124-vjeçare të Lojërave Olimpike moderne, ndonëse disa prej tyre janë anuluar për shkak të luftërave, duke përfshirë Lojërat në Tokio më 1940.
Papa Françesku nuk ka koronavirus
Vatikani ka thënë të shtunën se testet e kryera në ndërtesën ku jeton Papa Françesku kanë treguar që kreu i Selisë së Shenjtë nuk është i prekur nga koronavirusi.
Testet janë kryer pasi një banor në këtë ndërtesë ka dalë pozitiv në testet për këtë virus.
Ky ka qenë njoftimi i parë për gjendjen e 83-vjeçarit prej kur ka nisur kriza në Itali, ku kanë vdekur më shumë se 10,000 persona si pasojë e kësaj sëmundjeje.
Testet e kryera në 170 njerëz në Vatikan kanë treguar për gjashtë persona të prekur nga koronavirus, ka thënë zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni përmes një deklarate.
“Mund të konfirmoj se as Ati i Shenjtë dhe as ndihmësit e tij të afërt nuk janë në mesin e tyre”, ka thënë ai.
Kosovë: 91 të prekur nga koronavirusi
Një tjetër person ka rezultuar pozitiv në testimet për koronavirus të shtunën në Kosovë, duke e dërguar në 91 numrin e personave të prekur me këtë sëmundje.
“Rasti pozitiv është rast kontakti, me vendbanim në Prishtinë”, është thënë në njoftim.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se të rinjtë e moshave nga 20 deri në 29 vjeç janë prekur më së shumti nga koronavirusi i ri në Kosovë.
Nga 88 personat e infektuar me këtë sëmundje, 20 prej tyre i përkasin kësaj moshe, ndërkohë që vetëm 9 persona të prekur janë të moshës mbi 70-vjeçare.
Sa i përket gjinisë, 53 e meshkujve janë prekur nga sëmundja Covid-19 që shkakton koronavirusi, në krahasim gratë që përbëjnë 47 për qind të numrit të të infektuarve.
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri, Qeveria në largim e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.