Italia "po i afrohet pikut" të shpërthimit të koronavirusit
Zëvendësministri italian i Shëndetësisë, Pierpaolo Sileri, ka thënë se beson që ky shtet i është afruar pikut të shpërthimit të koronavirusit.
Italia është vendi i goditur më së keqi nga ky virus, pasi deri më tani ka regjistruar mbi 10,000 vdekje.
Sileri ka thënë për BBC-në se brenda një jave apo 10 ditëve, ky shtet do të përballet me rënie të numrit të të prekurve.
Ai po ashtu ka hedhur poshtë kritikat se Qeveria Italiane nuk ka marrë kur është dashur masat për izolim.
Ai ka thënë së qeveria “ka vepruar shpejt” dhe ka qenë “shumë e pafat” që ka pasur disa shpërthime në rajonin e Lombardisë, rajon të Italisë, të cilin e ka përshkruar si “tejet aktiv”.
Lajmet e rreme si mjet përfitimi në kohën e pandemisë
"Hudhra mund të jetë i shijshme, por nuk mbron nga koronavirusi i ri. Mos shpërndani thashetheme. Lufta ndaj COVID-19 është po ashtu luftë ndaj dezinformimit”, ka shkruar UNESCO (Agjencia për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara).
Që nga shfaqja e rasteve të para të kosovarëve të infektuar me koronavirus, ngjashëm me shumë vende tjera, edhe në Kosovë, në rrjetet sociale është rritur numri i lajmeve të rreme.
Këto lajme të rreme “japin këshilla” se si duhet luftuar koronavirusin e ri, medikamentet të cilat japin rezultat në luftimin e virusit e deri te zbulimi i vaksinës, e të cilat kanë dominuar hapësirën e rrjeteve sociale.
Lajme të tilla edhe në gjuhën shqipe janë duke u shpërndarë në profile dhe media fiktive.
Artikullin e plotë e gjeni këtu
Kriza me koronavirus "mund të përkeqësohet përpara se të përmirësohet"
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka paralajmëruar se kriza me koronavirus mund të përkeqësohet përpara se të përmirësohet, përmes një letre që i është dërguar secilit qytetar në Britani.
Johnson, që është vetizoluar pasi ka rezultuar pozitiv në testin për sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri, ka thënë se nëse është e domosdoshme, do të vendosen kufizime më të ashpra.
Britanikët po ashtu është thënë se do të pranojnë edhe një shkresë me udhëzime, rreth largimit të tyre nga shtëpitë si dhe informacione për shëndetin.
Numri i personave që kanë vdekur nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar tani ka arritur në 1,019.
Aktualisht, 17,089 persona janë infektuar nga koronavirusi i ri në këtë vend.
Në një letër dërguar rreth 30 milionë banorëve, shërbim që është thënë të ketë kushtuar 5.8 milionë funta britanike, Johnson ka thënë:
“Nga fillimi, ne kemi tentuar që të marrim masat e duhura, në kohën e duhur”.
“Ne nuk do të hezitojmë që të shkojmë tutje nëse këshillat shkencore dhe ato mjekësore na udhëzojnë drejt asaj rruge”.
Javën e kaluar, autoritetet britanike kanë marrë vendim për ndalim të qarkullimit të më shumë se dy personave dhe për mbyllje të dyqaneve me produkte jo të domosdoshme me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Trump zmbrapset nga deklarata për vendosje të Nju Jorkut në karantinë
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se zbatimi i masës së karantinës për Nju Jorkun “nuk është i domosdoshëm” pasi guvernatori shtetëror ka thënë se marrja e këtij vendimi do të ishte “absurde”.
Trump ka thënë se vendimi i fundit është marrë me rekomandim të task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka thënë më herët se ai mund të vendosë masë të karantinës për Nju Jorkun dhe pjesërisht për Nju Xhersin dhe Kontektikat, me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.
Aktualisht në Nju Jork është thënë të jenë prekur më shumë se 52,000 persona nga kjo sëmundje.
Ky vend ka më shumë se gjysmën e të gjitha rasteve që janë konfirmuar me Covid-19 në gjithë SHBA-në.
Trump ka thënë se në vend të karantinës, një “udhëzim i ashpër i udhëtimit” duhet të vendoset për Nju Jorkun, Nju Xhersin dhe Konektikat nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.