Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:27 29.3.2020

Mitrovica e Veriut: Dy persona të prekur me koronavirus

Dy persona në Mitrovicën e Veriut kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus, ka konfirmuar Instituti “Torlak” në Beograd, ndërsa rezultatet janë dorëzuar për shëndet publik në Mitrovicën e Veriut.

Epidemiologu, Aleksandar Antonieviq ka konfirmuar për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, se bëhet fjalë për një qytetar nga Mitrovica e Veriut dhe një nga Leposaviqi, të cilët janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

Sipas tij, dy pacientët kanë simptoma të lehta të sëmundjes.

Mësohet se në Mitrovicën e Veriut në total janë testuar 18 persona dhe se për tre prej tyre priten rezultatet.

Instituti i Virologjisë, Vaksinave dhe Serumeve, “Torlak” analizon mostra nga komunitetet serbe në Kosovë dhe funksionon në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë.

Numri i të infektuarve me koronavirus në mjediset serbe në Kosovë është tre.

Më herët është konfirmuar infektimi i një gruaje nga rrethina e Lipjanit.

Të shtunën mbrëma, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konfirmuar se numri i të infektuarve me Covid-19 në Kosovë është 91.

Duke llogaritur edhe mjediset serbe, ky numër shkon në 94.

12:43 29.3.2020

Policia arreston 40 persona për mosrespektim të masave për qarkullim

Policia e Kosovës ka arrestuar 40 persona nga qytete të ndryshme, të cilët nuk kanë respektuar masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që të ndalojë qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 17:00 deri në 6:00.

Në Kosovë deri më tani 91 persona janë të prekur me koronavirusin e ri.

Më 22 mars, Kosova ka regjistruar edhe viktimën e parë nga koronavirusi.

Autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

 

12:14 29.3.2020

Shikoni kapacitetet e Kosovës në luftën kundër koronavirusit, në kohën kur shumë shtete në botë po përgatiten për t'u përballur me pikun e kësaj sëmundjeje në pak ditë.

 

11:29 29.3.2020

Vdes foshnja e parë nga koronavirusi në SHBA

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar vdekjen e parë të një foshnjeje të prekur nga koronavirusi i ri.

Foshnja ka vdekur në Çikago, ka thënë Drejtori i Departamentit për Shëndetin Publik, Ngozi Ezike.

“Kurrë më parë nuk është raportuar për vdekje të lidhura me koronavirus te foshnjet. Kemi nisur një hetim të plotë për të kuptuar shkakun e vdekjes”, ka thënë Ezike.

“Ne do të bëjnë gjithçka për të parandaluar përhapjen e këtij virusi vdekjeprurës. Nëse jo për të mbrojtur veten, atëherë për të mbrojtur ata që janë afër nesh”.

Vdekja e një fëmije pa mbushur 1 vjet ishte raportuar në Kinë, mirëpo foshnja është thënë të ketë pasur komplikime paraprake.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG